Lajme

Hoti jep detaje nga raportimi i Guvernatorit për takimin në Bruksel: Ai është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.

03/13/2024 16:26
nga:G B

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka publikuar gjashtë përfundime nga raportimi i Guvernatorit të BQK-së në Komisionin për Buxhet për pjesëmarrjen e tij në dialog me Serbinë, raporton Gazeta Blic.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se Guvernatori s’ka pranuar ftesë për dialog dhe ka shkuar në Bruksel edhe pse e ka parë të panevojshme, takimi i tij s’ka qenë me homologun e tij por me disa zyrtarë të ministrisë së financave të Serbisë.

Hoti tutje ka thënë se s’ka asnjë informatë zyrtare se çka është biseduar në takim, derisa Guvernatori deklaron se, “nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet”.

Deputeti i LDK-së vlerëson se Guvernatori i BQK-së është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës dhe është shqetësues fakti që çdo koordinim lidhur me këtë rregullore ka pasur mundësi të bëhet në zyrën e Guvernatorit në BQK.

Postimi i tij i plotë:

Përfundimet nga raportimi i Guvernatorit të BQK-së në Komisionin për Buxhet për pjesëmarrjen e tij në dialog me Serbinë.

Guvernatori nuk ka pasur ftesë nga ndërmjetësi i BE-së për dialog. Ftesën e ka pranuar Qeveria, e cila e ka përcjellë atë tek Guvernatori. Edhe pse Guvernatori deklaroi se e ka parë të panevojshme të shkojë në Bruksel, ka vendosur të shkojë.

Takimi i dialogut në Bruksel është bërë mes Guvernatorit dhe disa zyrtarëve të ministrisë së financave të Serbisë. Takimi nuk ka qenë me homologun e tij.

Nuk ka asnjë informatë zyrtare me shkrim se çfarë është biseduar në takim me palën serbe. Guvernatori deklaron se, “nuk ka biseduar asgjë që nuk është dashur të bisedohet”. Kaq për transparencën e këtij takimi.

Ekziston një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që qartëson se, Qeveria e Kosovës është i vetmi institucion që përfaqëson Kosovën në dialog me Serbinë. Rrjedhimisht, pjesëmarrja e Guvernatorit në këtë takim nuk është në përputhje me autorizimet ligjore të tij. Kompetencat e Guvernatorit sipas nenit 37 të Ligjit për BQK nuk parashohin se Guvernatori e përfaqëson Kosovën në dialog me një vend fqinj për zbatimin e rregullores së BQK-së.

Rrjedhimisht, Guvernatori i BQK-së është instrumentalizuar nga Qeveria e Kosovës.

Shqetësim mbetet fakti se çdo koordinim lidhur me këtë rregullore ka pasur mundësi të bëhet në zyrën e Guvernatorit në BQK.