Lajme

Guvernatori i BQK-së: Nuk jemi ndikuar nga masat e BE-së

03/13/2024 14:26
nga:G C

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, sot ka raportuar në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, ku është diskutuar për MSA-në dhe rregulloret e BQK-së.

Ismaili ka thënë se BQK-ja nuk është ndikuar nga masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës.

Ai para deputetëve, sa i përket MSA-së, ka folur për veprimet që BQK-ja ka ndërmarrë sa i përket kësaj çështjeje.

“Në kuadër të MSA-së, BQK-së rrjedhin veprimet në fushën e shërbimeve financiare dhe përafrim e kuadrit ligjore me BE-në…”, ka thënë ai.

Deputeti nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, e ka pyetur Ismailin se a është ndikuar BQK-ja nga masat e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Ai është shprehur se BQK-ja ka qenë qëllimshëm e përjashtuar nga kufizimet e vendosura dhe se ato masa nuk kanë pasur ndikim në BQK.

“Sa i përket masave, ne si BQK nuk kemi ndonjë impakt direkt, ne kemi vazhduar me bashkëpunimin tonë me partnerët tonë, me BE-në, dhe bankat partnere pa asnjë kufizim. BQK-ja ka qenë po besoj qëllimshëm e përjashtuar nga çfarëdolloj kufizimi. Kështu që, ne kemi vazhduar të marrim asistencat e nevojshme, të jemi pjesëmarrës të gjithë dinamikës që ka qenë e paraparë, me këtë rast i falënderoj që ndikimet e tjera jashtë Bankës Qendrore nuk kanë reflektuar në cilësinë e bashkëpunimit tonë”, ka thënë ai.