Lajme

Bastisjet e Speciales, Qerkini: Specialja po shkel privatësinë

03/11/2024 20:45
nga:G B

Zyrtarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, iu rikthyen bastisjeve në Kosovë gjatë javës së kaluar. Megjithatë, me këto veprime, sipas avokatit Artan Qerkini, po shkelet privatësia e personave të cilët janë cak i bastisjeve.

Artan Qerkini ka qenë avokat, në shumë raste të bastisjeve që Zyra e Prokurorit të Specializuar i realizoi në Kosovë.

Qerkini vlerëson se në secilën prej këtyre rasteve, kishte shkelje ligjore.

“Është cenuar e drejta e privatësisë e garantuar me Kushtetutë. Sepse, edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se urdhëri i gjyqtarit duhet të jetë i arsyetuar. Ndërsa, gjyqtari në urdhër vetëm konstaton se mund të gjinden prova. Pra, Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk kërkon nga gjyqtari që ai të konstatoj, sepse ai mund të jetë një qëndrim arbitrar”, ka thënë avokati Artan Qerkini.

Përkundër kritikave, Qerkini vlerëson se bastisjet janë brenda mandatit të Speciales.

“Ata janë brenda mandatit, nuk mund të them se janë jashtë mandatit, sepse ata e kanë në mandat ndjekjen penale për vepra penale që kanë të bëjnë me pengimin e drejtësisë. Mirëpo, veprimet e tyre sipas mendimit tim, bien ndesh me këto dispozita që i përmenda, nenin 8 të konventës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut”, ka thënë tutje ai.

Qerkini nuk ka treguar nëse ka deponuar ndonjë ankesë në Speciale në lidhje me shkeljet e pretenduara.

E nga Gjykata, në një përgjigje për Dukagjinin, kanë theksuar se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë ankesë të tillë.

Amer Alija, që monitoron proceset gjyqësore në Speciale, tregon se çështja e bastisjeve është e përcaktuar me rregulloren e procedurës dhe provave.

“Në rast se ekziston dyshimi që një person ka kryer, ka për të kryer apo është në prag të kryerjes së ndonjë vepre penale mund të bëhet bastisja e pronës së tij apo të personit dhe në rastin tjetër është kur prokurori dyshon që në rastin e bastisjes mund të sigurohen prova që janë në kompetencë të Dhomave të Specializuara”, ka thënë Amer Alija  nga FDHK.

Gjatë javës së kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar bastisi shtëpinë e Sylejman Selimit, si dhe konfiskoi telefonin e Sami Lushtakut.