Brenda pak vitesh në Kosovë rrezikojnë të mbyllen shumë shkolla.
Fshatra të tëra anëekënd Kosovës mund të mbesin më shumë pak nxënës- ose edhe pa asnjë të vetëm.
Tashmë trendi i braktisjes së shkollave nëpër fshatra nuk ka të ndalur.
Derisa në fshatra të thella vite më parë ka rënë dukshëm numri i nxënësve, viteve të fundit ky fenomen ka prekur thuajse të gjitha shkollat në viset rurale të Kosovës.
Nga Sindikata e Arsimit dhe e Shkencës së Kosovës kanë theksuar se dy faktorë kanë ndikuar në ikjen masive të nxënësve nga shkollat në viset rurale.
Faktori i parë sipas tyre është ikja e shumë familjeve drejt vendeve evropiane, dhe faktori i dytë ka të bëjë me rënien e ndjeshme të natalitetit në vend.
Pos këtyre dy faktorëve, sipas një drejtori të një shkollë ku ka rënie rapide të numrit të nxënësve, është edhe lëvizja e nxënësve nga zonat rurale drejt zonave urbane- gjegjësisht që ndërlidhet me punësimin e familjarëve.
Drejtori i shkollës së Mesme të Ulët ‘Skënder Skënderi’ në ‘Vajnikë’ të Skenderajt, Halil Thaçi tha për dokumentarin ‘Expose’ se numri i nxënësve vitet e fundit ka rëndë ndjeshëm.
Ai tha se në kohën kur kishte filluar të punonte aty, kjo shkollë kishte 436 nxënës ndërsa tani ka vetëm 100 nxënës.
Sipas tij, edhe pse shkolla i ka të gjitha kushtet dhe i plotëson të gjitha standardet jo për nga infrastruktura, por edhe për nga stafi, ikja e nxënësve është shndërruar në një fenomen.
“Në shkollën ‘Skënder Skënderi’ në Vajnikë ku unë punoj si drejtor i shkollës, vitet e fundit si në të gjitha trevat e Kosovës ka shpërngulje të nxënësve nga fshati në qytet. Faktorët që po ndikojnë në lëvizjen e nxënësve kryesisht është punësimi, prindërit punojnë nëpër qytete dhe rrugëtimi prej Prishtinës, Mitrovicë, Skënderaj që punojnë, dhe kjo është një nga arsyet që shpërngulen në qytete. Në fillim kur unë kam filluar të punoj në këtë shkollë numri i nxënësve ka qenë 436 nxënës ndërsa tani janë vetëm 100 nxënës”, thotë Thaçi.
Por, ai thotë se në këtë shkollë s’ka pasur largim të nxënësve pas liberalizimit të vizave.
“Pas liberalizimit të vizave në shkollën ku unë punoj nuk ka pasur ende asnjë lëvizje të nxënësve. I kemi marrë edhe statistikat sepse na i ka kërkuar edhe ‘Drejtoria e Arsimit’ për të parë për lëvizjen e nxënësve pas liberalizimit, por në këtë shkollë nuk ka pasur lëvizje pas liberalizimit të vizave. Vetëm është kjo shpërngulja nga fshati në qytet e kjo krejt si pasojë tek punësimi”, shprehet ai.
Drejtori i kësaj shkolle tregon për emisionin ‘Expose’ të Gazeta Blic se klasa e gjashtë dhe klasa e tetë kanë më pak nxënës.
“Të them të drejtën shkolla i plotësohen të gjitha kriteret që duhen. Edhe stafi është i përgatitur, adekuat në të gjitha lëndët prej parafillor deri tek këto lëndor që janë. Kemi kabinetin e informatikës, tani kemi edhe projektorët. Një infrastrukturë e cila është bërë e mundur me ndihmën e ‘Drejtorisë së Arsimit’ e cila na ka përkrahur vazhdimisht. Kushtet e shkollës nuk janë shkak që nxënësit të lëvizin po ashtu edhe stafi është i përgatitur në të gjitha lëndët dhe nuk ka mungesë të stafit”, deklaron Halil Thaçi.
Drejtori i shkollës po ashtu tregon faktorët e largimit të nxënësve nga shkollat.
“Faktorët kryesorë për largimin e nxënësve, siç e thashë edhe më herët, janë rreth punësimit. Por në bazë të një analize që kemi bërë ne si staf në shkollë na dalin 3 faktorë që po ndikojnë në rënie e nxënësve. Faktori i parë është lëvizja nga fshati në qytet, migrimi jashtë vendit dhe martesat e vona. Të tjerë faktorë nuk ka, sepse të them të drejtën kemi mbështetje nga komuna me të gjitha kapacitetet që i kanë. Shkollës nuk i mungon asgjë”, thotë ai.
“Këto punimet në oborrin e shkollës po i bëjnë ish-nxënës të shkollës sonë që kanë qenë këtu më herët dhe që tani janë në Gjermani. Ata kanë shpreh dëshirën me rregullu oborrin e shkollës. Është një investim i ish-nxënësve të shkollës tonë të cilët kanë shpreh dëshirën”, deklaron Thaçi.
/Gazeta Blic/