Lajme

Kryeziu: Vendimi për votimin për shkarkimin e kryetarëve në veri i dhimbshëm dhe i imponuar

03/09/2024 06:58
nga:Sh R

Ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu ka thënë se vendimi për mbajtje të votimit në katër komunat në veri për shkarkimin e kryetarëve është një kompromis i dhimbshëm, që Kosova duhet ta kalojë si shtet që të integrohet në mekanizma ndërkombëtarë.

Profesori i të Drejtës Kushtetuese në emisionin “Info Nata” tha se Kosova ka kaluar disa provime dhe do ta kalojë edhe këtë.

“Kjo ka qenë një kompromis në vijim, një kompromis i dhimbshëm, këto gjëra duhet t’i bëjmë, edhe këto për komunat, edhe Asociacionin, Demarkacionin është një fare kompromisi i dhimbshëm të cilat nuk janë të mira për neve, por ne duhet që t’i kalojmë për hire të asaj që Kosova si shtet të integrohet në mekanizma ndërkombëtarë… Unë e konsideroj se si Kosovë i kemi dhënë disa provime, do ta japim edhe këtë”, ka thënë ai në Tëvë 1.

Tutje, ai tha se zgjidhje sipas tij, ka qenë që kryetarët të japin dorëheqje, por që Qeveria ka vepruar sipas ligjit.

“Si rekomandim, zgjidhje për mua ka qenë që ata kryetarë të japin dorëheqje. Kështu ka qenë në preferencat e ambasadorëve amerikan, por Qeveria ka shkuar përmes dokumenteve ose udhëzimeve të cilat janë të bazuara në ligjin…ministri ka vepruar në bazë të ligjit ashtu siç duhet të veprohet. KQZ është institucion i pavarur kushtetues, i cili ka për detyrë të përcjellë dhe menaxhojë zgjedhjet në mesin e tyre edhe këtë rast… Por, na është imponuar situata dhe është dashur patjetër që të veprohet kështu”, ka deklaruar ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka vendosur që më 21 prill të mbahet votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat në veri, Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok.