Lajme

Balla: Femicidi në Shqipëri, problem shqetësues që duhet të adresohet shpejt

03/08/2024 17:11
nga:Y I

Femicidi është një problem shumë shqetësues që kërkon adresim të shpejtë në Shqipëri, tha ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, më 8 mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Gjatë vitit 2023, u vranë 12 gra dhe vajza, ndërsa në dy muajt e parë të këtij viti, nga 890 raste të denoncuara të dhunës në familje, 629 prej tyre viktima ishin gratë dhe vajzat, tha Balla duke folur në një tryezë për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Ai tregoi gjithashtu se nga 456 urdhra për mbrojtjen e viktimës që janë lëshuar gjatë këtij viti, 350 prej tyre janë dhënë për gra dhe vajza.

Këto statistika tregojnë një “panoramë trishtuese”.

Edhe të dhënat për krimet seksuale tregojnë se shumica e të prekurve janë gra dhe vajza, konkretisht 103 nga 125.

Ministri i quajti “heroina” gratë dhe vajzat të cilat e denoncojnë dhunën, por tha se të dhënat e publikuara janë “vetëm maja e ajsbergut të këtij fenomeni shqetësues”.

Ndërsa, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, e vizitoi burgun e grave në zonën e “Ali Demit” në Tiranë, ku tha se numri i grave të dënuara me burgim që përfitojnë nga legjislacioni për amnisti, i përgatitur nga qeveria, është shumë i lartë, por nuk dha shifër konkrete.

Ai u bërë thirrje deputetëve të opozitës të votojnë për legjislacionin për amnisti, i cili ka mbetur peng prej disa kohësh në Kuvend e Shqipërisë.

Rreth 700 të dënuar nuk kanë arritur të përfitojnë ulje apo falje të dënimit, si pasojë.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, në Tiranë janë organizuar disa aktivitete që lidhen me ndërgjegjësimin për ta denoncuar dhunën, forcimin e rolit të gruas në shoqëri dhe fuqizimin ekonomik të saj.

Sonte rreth orës 19:00 pritet të mbahet një protestë me moton “nata është e jona”, e organizuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave.

“Siguria është kryefjala e kësaj proteste! Çdo ditë, të paktën një grua vritet, dhunohet, përndiqet, shantazhohet, fyhet ose shtyhet në vetëvrasje. Grave u rrezikohet siguria për jetën pa e nisur ende atë, nga aborti selektiv e deri te kujdesi shëndetësor jocilësor deri në fund të saj”, thuhet në thirrjen e aktivisteve për protestë.

Rreth 80 për qind e vajzave dhe grave të anketuara nga fondacioni Fredrich Ebert kanë thënë se ambienti më i pasigurt në Shqipëri ka qenë në transportin publik, 30 për qind e tyre e cilësojnë vendin e punës si të dytin më të pasigurtin, ndërsa shkollën si të tretën.

Nisur nga këto shifra alarmante, në Tiranë është ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësimi kundër ngacmimit seksual, që do të zgjasë një muaj.