Lajme

Zelensky viziton Turqinë për sigurinë ushqimore dhe bashkëpunimin në mbrojtje

03/08/2024 15:39
nga:Y I

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, viziton Turqinë më 8 mars për të biseduar me homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdogan, për luftën kundër Rusisë, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurinë e eksporteve ushqimore ukrainase.

Presidenca ukrainase tha se dy udhëheqësit po ashtu do të bisedojnë për formulën për paqe prej 10 pikash të Kievit që synon t’i japë fund konfliktit, por edhe për lirimin e të gjithë të arrestuarve ukrainas dhe të dëbuarve, si dhe për sigurimin e stabilitetit ushqimor botëror përmes transitit të sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Formula për paqe e Ukrainës bën thirrje për tërheqjen e të gjitha trupave ruse nga Ukraina, rivendosjen e kufijve të shtetit të vitit 1991 pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe mbajtjen përgjegjëse të Rusisë për veprimet e saj. Më herët, Kremlini ka refuzuar kërkesa të tilla.

“Një vëmendje e veçantë gjatë vizitës do t’iu jepet projekteve të përbashkëta në sferën e mbrojtjes dhe industrisë”, tha Presidenca ukrainase përmes një njoftimi në Telegram, duke shtuar se Zelensky do të vizitojë një kantier detar ku po ndërtohen pjesë për Marinën ukrainase. Ai po ashtu do të takohet me përfaqësuesit e kompanive turke të mbrojtjes.

Presidenca turke tha se bisedimet do të përfshijnë edhe “diskutime të detajuara për rrjedhën e luftës Ukrainë-Rusi, për situatën aktuale sa i përket vazhdimisht të Marrëveshjes për korridorin e drithërave [në Detin e Zi] dhe përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në rajon”.

Turqia, shtet anëtar i NATO-s, ka mbajtur raporte të mira me Moskën dhe Kievin dhe së bashku me Kombet e Bashkuara ka ndërmjetësuar një marrëveshje që i ka lejuar Kievit eksportimin e sigurt të drithërave nga portet e tij. Por, korrikun e kaluar Rusia u largua nga marrëveshja, e njohur si Nisma e Detit të Zi, pasi argumentoi se eksportet e saj ushqimore dhe të plehrave artificiale nuk gëzonin të njëjtat kushte.

Turqia ka synuar që të bindë Moskën që të kthehet në marrëveshje, por deri më tani Rusia ka refuzuar.

Pas takimit pasditen e së premtes, Erdogan dhe Zelensky do të mbajnë një konferencë për media.

Zelensky për herë të fundit kishte vizituar Turqinë në korrikun e viti të kaluar.