Lajme

Administrohen provat materiale në gjykimin për shpëlarjen e 125 mijë eurove

03/08/2024 13:30
nga:Sh R

Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është bërë administrimi i provave materiale në gjykimi ndaj të akuzuarit për shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje, Lavdim Sllamniku.

Me pajtimin e palëve, u bë leximi i provave materiale nga 1 deri në 24, të cilat janë propozuar në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja speciale Ilirjana Çollaku-Tafa, tha se është e gatshme të bëjë elaborimin e tyre, mirëpo me pajtimin e mbrojtësit të Sllamnikut, avokatit Shkodran Manaj, provat u konsideruan të lexuara.

Avokati Manaj shtoi se me rastin e paraqitjes së fjalës përfundimtare do të kundërshtojë provat materiale të propozuara si në aktakuzë.

Në anën tjetër, i akuzuari Sllamiku lidhur me provën materiale- një foto ku Prokuroria pretendon se tre ditë para arrestimit të tij ka qëndruar me të akuzuarit tjerë në këtë rast, tha se i duket e pakuptimtë për faktin se në foto nuk shihet askund ai, kurse Prokuroria pretendon se është në të.

“Me ngu një insistim të prokurores edhe dy vjet e gjysmë pas arrestimit tem që unë jam ai person në foto, unë nuk e di a po sheh mirë a s’po sheh”, tha i akuzuari Sllamniku.

Në seancës radhës do të shikohet në monitor fotografia ku pretendohet se i akuzuari Sllamniku ishte me bashkë të akuzuarit tjerë dhe një CD që dëshmon komunikimet e të akuzuarve.

Në këtë rast, akuzohen edhe Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, të cilët në seancën e 25 tetorit 2023 e kanë pranuar fajësinë lidhur me veprat penale me të cilat ngarkohen.

Sipas aktakuzës së PRSK-së, të ngritur më 3 qershor 2022, Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka, Avdush Qukovci dhe Lavdim Sllamniku, akuzohen për “Shpëlarje të parasë”. Të akuzuarit Reka, Orana dhe Qukovci ngarkohen edhe për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale”. Kurse, të akuzuarit Osana dhe Sllamniku ngarkohen edhe për “Armëmbajtje pa leje”.