Lajme

Ish-ministri Mehaj ‘kthehet’ në qeveri si këshilltar i jashtëm i Kurtit

03/08/2024 10:01
nga:Sh R

Ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj tashmë është emëruar si këshilltar i jashtëm i kryeministrit, Albin Kurti.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti.

“Po, këshilltar i jashtëm”, tha shkurt Rashiti.

Ndërkaq, angazhimi i Mehajt si këshilltar i jashtëm në Qeverinë Kurti është në kuadër të Grupit Ballkanik, e cila implementohet me mbështetjen e Qeverisë së Norvegjisë, në kuadër të kornizës “Zhvillimi i paqes & shtet-ndërtimit dhe avancimi i agjendës Evropiane”.

Në pozita të tilla janë edhe disa personalitete tjera publike dhe ish – diplomatë.

Ndërsa, ditë më parë ish-ministri Mehaj ka pranuar “Medaljen për Shërbim të Shquar”, nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Mehaj e kishte bërë të ditur këtë përmes një postimi në rrjetin social në Facebook.

“Jashtëzakonisht i nderuar që në përvjetorin e ditëve më të lavdishme të historisë kombëtare ‘Epopesë së UÇK-së’, të pranoj ‘Medaljen për Shërbim të Shquar’ nga ministri i Mbrojtjes Maqedonci. Në shenjë mirënjohje për kontributin e jashtëzakonshëm për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës si dhe fuqizimin e Ushtrisë së shtetit tonë”, ka shkruar Mehaj.

Mirëpo, deri më sot nuk ka qenë praktikë institucionale që një ministër në detyrë të dekorojë një ish -ministër paraprak.

Ndryshe, Armend Mehaj ka ushtruar detyrën e ministrit të Mbrojtjes mbi dy vite, ku më pas për shkaqe familjare ai kishte dhënë dorëheqje.