Lajme

Infermieri Duraku ndërpreu grevën shkaku shëndetit, ja çfarë po paralajmëron tani

03/07/2024 12:36
nga:G B

Më 26 shkurt, anëtari i Kuvendit të Odës së Infermierëve, Enlirat Duraku ka hyrë në grevë urie.

Greva erdhi si pasojë e mos realizimit të kërkesave që kanë infermierët, si pagesat e punës gjatë vikendeve, pagesa e punës gjatë festave, e rrezikshmërisë e orëve shtesë.

Më 2 shkurt greva u ndërpre , pasi gjendja e tij shëndetësore është rënduar.

Kështu ka njoftuar Enlirat Duraku, anëtari i Kuvendit të Odës së Infermierëve.

Ai tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia nuk është interesuar për grevën.

Duraku deklaroi se Vitia mendon që mjaftueshëm ka infermierë në Kosovë.

Sipas tij, ikja jashtë vendit e infermierëve për ministrin aktual nuk çojnë peshë asgjë.

“E kam ndërprerë grevën që katër ditë se më është përkeqësuar gjendja shëndetësore, ndihma e shpejt më ka dalë në ndihmë. Ministrit nuk po i intereson fare për infermierët, mendon që ka të mjaftueshëm. Ai si mjek që ka qenë se tani e ka humb këtë, duhet ta dijë që pavarësisht numrit të madh të infermierëve nuk mundësh me i lënë infermierët me eksperiencë dhe kualitativ me lëshuar punën dhe Kosovën”, thotë ai.

Duraku ka akuzuar ministrin se ky i fundit ka luftë personale me të.

Ai thotë se për shkak të kritikave, Vitia nuk i plotëson kërkesat.

“Ministri grevën e ka bërë si luftë personale mes meje dhe tij për shkak kritikave që ja kam bërë për mandatin e dytë dhe ka gënjyer publikisht për punën e konkursit për pranimin e infermierëve ku ka rrjedh testi jashtë sallës dhe ky del thotë që nuk ka informacion e të gjitha i ka pas në email të MSH-së. Duhet t’i plotësoj kërkesat”, tha Duraku për Front Online.

Ai tha se çështja e grevës dhe kërkesat e infermierëve tashmë i ka në dorë sindikata e QKUK-së me nënkryetarin e Odës së infermierëve.

“Sindikata e QKUK-së me nënkryetarin Agron Kryeziun e ka marr përsipër çështjen e grevës dhe ka mbet që brenda kësaj jave të mbajnë një mbledhje në këshillin drejtues të tyre, Drejtorit të SHSKUK i kam kërkuar takim nëse jo do të organizojnë ose grevë ose protestë në punë, vendimi ende nuk është marr”, deklaroi Duraku.

Këto janë të gjitha kërkesat që kanë infermierët:

Drejtoria e Infermierisë në QKUK,

Pagesa e shtesave të tregut dhe shtesave për nëpunës shëndetësor në sistemin publik shëndetësor, respektivisht përfshirjen e komuniteteve tona në Ligjin e Pagave,

Pagesën e punës gjatë vikendeve,

Pagesën e punës gjatë festave,

Pagesën e rrezikshmërisë,

Pagesën e orëve shtesë.