Lajme

Denoncimi i Princ Lekës për dhunë nga ish-bashkëshortja, reagon Oborri Mbretëror

03/06/2024 19:37
nga:Y I

Oborri Mbretëror ka reaguar pas denoncimit të Princit Leka për dhunë nga ish-bashkëshortja e tij Elia Zaharia dhe babai i saj Gjergj Zaharia.

Përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook thuhet se Princi është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

Në deklaratë shprehet indinjata për shpërndarjen e këtyre pamjeve në media dhe rrjetet sociale dhe kërkohet ndërhyrja e institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediat.

“Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë konsideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjellë imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune.

Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cenuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.

Gjithashtu, Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediat”, thuhet në deklaratë.