Lajme

Fotoreporteri Kryeziu tregon se si i pa trupat e familjes Jashari pas vrasjes

03/06/2024 13:33
nga:N K

Visar Kryeziu, ishte fotoreporteri i cili kishte fotografuar familjen Jashari.

Kryeziu ka rrëfyer në Klan Kosova se ngjarja ka ndodhur pas vrasjes së tyre.

Ai tregoi se si e kishte kuptuar se u vra komandanti legjendar Adem Jashari.

“Ka qenë një korrespodent i BBC-së, Nenad Shebek, nëse nuk gaboj. Ai ka qenë dera e cila i hapte punktet (pikat e kontrollit), se ka pasur shumë në Skenderaj sidomos pas sulmit. Ai tentonte të merrte informata nga polici i cili e ruante depon e materialit ndërtimor. Ai ia bënte policit “Kemi dëgjuar se këtu ka pasur sulm”, polici vazhdimisht i thoshte “Largohu, largohu, s’po më intereson”, edhe e pamë që nuk po do me dhënë informata”, tha Kryeziu .

“Unë bile nuk pata dal nga vetura fare, sepse ka qenë kohë pa kohë. Duke dashtë të kthehet në veturë Shebeku, i drejtohet sërish policit “Më fal, a është e vërtetë se Adem Jashari u lajmërua nga Tirana?”, se donim ta konfirmonim nëse lajmi është i vërtetë”, shtoi ai.

“Në ato momente polici u bë shumë nervoz, e humbi kontrollin e mu drejtua:”Ti a je gazetar? A je fotograf?”, eja këtu. E hapi derën e deposë, unë mendova se po do të më pushkaton a zoti e din!. Shkon ai edhe e hap atë pjesën ku kanë qenë trupat e mbuluar me një çarçafë dhe më thotë: “A u lajmërua ky prej Tiranës”, vazhdoi tregimin fotoreporteri Kryeziu.

“Në atë moment, në atë panik duke m’u dridhur duart, mezi i kam bërë disa fotografi”, theksoi ai.

Në nderim të familjes së komandanti legjendar Adem Jashari, më 5,6 dhe 7 mars, në Kosovë shënohet Epopeja e UÇK-së./ Klankosova.tv/