Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca jo shumë kohë më parë deklaronte se s’do të ketë Asociacion, derisa thoshte “as asi, as ksi”.
Por, tani ai ka thënë se Qeveria mund ta bërë një draft statut të Asociacionit, në një kohë të caktuar.
Lidhur me këtë, ish deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Asociacioni është i precizuar qartë në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit dhe s’ka kompromis.
“Së pari, në marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit të vitit të kaluar precizohet qartë se Kosova duhet të themelojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kjo është pjesë e marrëveshjes që e ka pranuar Kosova. Këtu kompromis nuk ka”, thotë ai.
Sipas Rugovës, deklarata të tilla me kontekst elektoral na dobësojnë para miqve ndërkombëtarë.
“Përmbajtja e statutit të AKS është çështje tjetër dhe ishte dashur që të bëhet me konsensus të gjerë politik dhe shoqëror. Deklaratat konfuze dhe me kontekst elektoral nga krerët institucional të shtetit vetëm sa na dobësojnë para miqve tanë dhe faktorit ndërkombëtar”, vlerëson anëtari i LDK-së për Gazeta Blic.
Ai shton se Qeveria është dashur deri tani të ketë një draft final të Asociacionit, që do ta dërgonte në Kushtetuese pastaj.
“Qeveria deri tani është dashur ta ketë një draft final të statutit të AKS, ta miratonte formalisht dhe ta dërgonte në Gjykatën Kushtetuese si institucioni më i lartë i gjyqësisë dhe gardian i Kushtetutës. Në këtë çështje nuk ka improvizime dhe lojëra politike”, thekson Rugova.
Ai potencon se statusi i Asociacionit dhe zbatimi i vendimit të kushtetueses për Manastirin e Deçanit janë kushte për pranimin e vendit tonë në Këshillin e Evropës.
“Pa plotësimin e këtyre kritereve rruga euro – atlantike e Kosovës dëmtohet seriozisht, prandaj deklarimet konfuze dhe populiste për qëllime elektorale vetëm se e dëmtojnë procesin dhe zbehin imazhin ndërkombëtar të Kosovës”, deklaron ish deputeti i LDK-së, Naser Rugova./Gazeta Blic/