Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vlerësuar kontributin e USAID-it në arritjen e sukseseve të Kosovës përgjatë dy dekadave të fundit.
Në një konferencë për media pas takimit me Ndihmës Administratoren e USAID-it, Erin E. McKee, ajo tha se bashkëpunimi me USAID-in është shembull konkret i përkushtimit të Shteteve të Bashkuara dhe të popullit amerikan ndaj vendit dhe se një Kosovë më e zhvilluar dhe e fortë është synimi i përbashkët.
Duke folur në lidhje me investimet e USAID-it, e para e shtetit tha se në vendin tonë USAID ka investuar mbi 1 miliardë dollarë, e që së bashku me projektet e tjera të qeverisë amerikane investimet arrijnë deri në dy miliardë dollarë.
Ndërkaq, duke folur për sukseset e Kosovës gjatë 16 viteve si shtet i pavarur, Osmani tha se Republika jonë është ndër reformatorët më të mirë në indekset globale për sundimin e ligjit dhe të ruajtjen e demokracisë.
Ajo gjithashtu shtoi se po punohet se këto suksese të përkthehen edhe në përfitime ekonomike për Kosovën.
Ndërkaq, Ndihmës administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Erin E. McKee, tha se është e kënaqur me progresin e Kosovës dhe se vendi po bën përparim të madh në krijimin e mundësive ekonomike për të gjitha komunitetet, veçanërisht për gratë dhe sipërmarrësit e nga pakicat.
Ajo gjithashtu tha se përkushtimi i USADI-it ndaj popullit të Kosovës do të mbetet i palëkundur, pavarësisht që mund të ketë raste të mosmarrëveshjes me “qeveri të veçanta”.
Ajo nuk la përmendur edhe dialogun Kosovë-Serbi për të cilin tha se është rruga e vetme përpara për integrim në strukturat euroatlantike dhe se mbështetja e USAID-it do të mbetet e palëkundur për Kosovën.