Lajme

Asociacioni/ Analistët: Qeveria ta përgatisë draftin – palët s’kanë interes për ta themeluar, bëjnë lojëra politike

03/05/2024 14:42
nga:G B

Kundërshtimet e Qeverisë Kurti për Asociacionin janë të njohura. Por, nga deklarimet se s’do ta themelojnë atë, kryeministri Kurti ka kaluar në atë që është i gatshëm ta nënshkruajë, por që këtë s’po e bën pala serbe.

E, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca që thoshte “as asi e as ksi”, tani shprehet se Qeveria mund të ketë një draft të Asociacionit në një kohë të caktuar.

Lidhur me këto, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për Gazeta Blic.

Analisti politik Gazmir Raci, thotë se Konjufca këtë e ka thënë duke pasur parasysh deklaratën e Lajçakut, se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Nëse z. Lajçak para një kohe ka thënë që kjo është çështje e brendshme e Kosovës, atëherë rrjedhimisht edhe kryetari i Kuvendit e ka pasur parasysh këtë çka ka deklaruar ndërmjetësi i BE-së”, thotë ai për Gazeta Blic.

Sipas analistit, Kosova nëse është gati duhet ta përgatisë draftin dhe ta dorëzojë, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe obligimeve të marrëveshjes së 2013.

“Nëse Kosova është gati, atëherë është mirë ta përgatisë dhe ta dorëzojë draftin sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015 dhe obligimeve të marrëveshjes së 2013, e cila është marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar në Kuvend të Kosovës”, vlerëson analisti Gazmir Raci.

Ndërsa,analisti Blerim Burjani, duke folur për këtë temë për Gazeta Blic, vlerëson se paqartësia lidhur me Asociacionin është në politikën e Qeverisë Kurti, që është konfuze e frikacake dhe s’ka guxim as interesim ta bëjë Asociacionin fare.

“Paqartësia është në politikën e kësaj qeverie, e cila është konfuze, frikacake, blerëse e kohës, hezitimit, të gjitha këto paqartësi mblidhen në një, s’ka vullnet, s’ka gatishmëri, s’ka guxim, në fund s’ka interesim fare për të bërë kurrfarë Asociacioni. Pra, kjo çka bën kjo qeveri është që të përziejë gjithçka por veç Asociacion mos të ketë”, potencon ai.

Burjani thekson se draft i BE-së ka ardhur pasi Qeveria s’e ka bërë një të tillë, mirëpo asnjëra palë nuk duan ta themelojnë atë dhe bëjnë lojëra politike.

“Normale, kjo Qeveri është lutur edhe para se të sjell draftin BE për Asociacionin, por nuk ka dashur, nga mos dashja ka ardhur drafti i BE-së, gatishmëria e Kurtit për nënshkrim interpretohet si mos gatishmëri e Vuçiçit për të nënshkruar, pra s’ka interesim fare nga palët të ketë Asociacion dhe bëjnë lojën e tyre politike. Pra, s’kanë gatishmëri dhe s’kanë pajtim për kompetencat që duhet t’i ketë Asociacioni”, deklaron Blerim Burjani.

Ndryshe, bashkësia ndërkombëtare vazhdimisht ka bërë thirrje që palët të kthehen në dialog e që Asociacioni të themelohet.

Thirrje për zbatim të marrëveshjes ka bërë edhe sot përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak, i cili qëndroi në Kosovë për një takim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin./Gazeta Blic/

Deklarata e Konjufcës shihet si joserioze: Thoshte “as asi as ksi” – VV i frikësohet humbjes së votave për Asociacionin

Konjfuca: Qeveria mund ta propozojë një draft statut të Asociacionit