Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka thënë dje se Qeveria mund ta propozojë një draft të saj të statutit të Asociacionit në një kohë të caktuar dhe i njëjti mund të marr pjesë nga drafti i propozuar nga BE-ja.
Ndërsa, thirrje për një draft statut të Asociacionit kanë bërë në vazhdimësi edhe ndërkombëtarët, derisa kryeministri Albin Kurti thotë se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen por që këtë s’po e bën Serbia.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut me Serbinë, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Asociacioni është obligim dhe është pranuar nga të gjitha partitë, përfshirë VV-në.
“Nuk ka asgjë të paqartë në lidhje me Asociacionin. Asociacioni është obligim ndërkombëtar që Kosova e ka marrë para shumë viteve dhe në faza të ndryshme dhe në forma të ndryshme është pranuar nga të gjitha partitë parlamentare të Kosovës, përfshirë qeverinë e Lëvizjes Vetëvendosje”, thotë ai.
Sipas Arifit, paqartësia e vetme lidhur me Asociacionin është prerja e shiritit të tij dhe se VV-ja e ka problemin që të mos humbasë vota, e jo dëmin që i bëhet Kosovës.
“Paqartësia e vetme është se kush do ta presë shiritin. Prerja e shiritit është bërë masë e patriotizmit nga këta që qeverisin dhe këtu është ngecja apo paqartësia. Kjo Qeveri nuk do të bëjë asgjë në lidhje me Asociacionin para zgjedhjeve dhe atë me asnjë kusht. Për këta asnjë problem nuk është dëmi që është duke përjetuar Kosova e as fakti që këtë obligim e dinë se herët a vonë Kosova do ta implementojë ndoshta me çmim shumë më të madh. Për VV-në është me rëndësi që vetëm të mos humbin ndonjë votë. Kaq”, vlerën ai për Gazeta Blic.
Ai shton se “kjo çfarë ka thënë Konjufca është me thënë diçka koti e që për 3-4 ditë harrohet sepse kurrfarë serioziteti nuk ka”.
Ndërsa, sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Konjufca duhet të sqarohet, pasi ai kishte deklaruar se s’do të ketë Asociacion.
“Glauk Konjufca duhet të sqarojë për publikun se çfarë drafti të Asociacionit do të propozojë Qeveria e Kosovës: a “asi apo ksi”? Sepse jo larg kohë ka pas deklaruar që nuk do të ketë “as asi as ksi””, shprehet ai.
Sipas Sherifit, këta mashtrojnë sa herë që e hapin gojën dhe nuk merren seriozisht.
“Pra, nëse nuk do të jetë “as asi as ksi”, çfarë draft-statuti do të propozojë qeveria! Me thënë të drejtën, asnjë prej këtyre nuk e marr më seriozisht! Mashtrojnë sa herë që e çelin gojën”, deklaron Bilall Sherifi./Gazeta Blic/
Konjfuca: Qeveria mund ta propozojë një draft statut të Asociacionit


