Lajme

Haradinaj: Shtëpia e Jasharajve u bë një simbol i luftës për liri, një fortifikim i vendosur kundër shtypjes dhe okupimit

03/05/2024 13:05
nga:N K

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe në Prekaz.

Haradinaj ka shkruar se “në rrëfimin e një prej kapitujve më të lavdishëm të historisë sonë kombëtare, emri i Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari ngrihet si një simbol i pashembullt i rezistencës dhe heroizmit”.

“Sot në vendin e shenjtë, në Prekaz, nderuam ata me të cilët na bashkuan idealet, e trashëgimia e të cilëve vazhdon të na mbajë të bashkuar dhe të fortë”.

Tutje, ai ka shkruar se “Shtëpia e Jasharajve u bë një simbol i luftës për liri, një fortifikim i vendosur kundër shtypjes dhe okupimit”.

“Nëpërmjet guximit dhe vendosmërisë së tyre, ata u bënë një shembull për gjithë kombin tonë, duke treguar se edhe nën shtypjen më të rëndë, rezistenca është e mundur dhe se fitorja ndaj armikut është e arritshme. Familja heroike Jashari, udhëhequr nga Komandanti legjendar Adem Jashari, nuk u përul para shtypjes dhe okupimit, por zgjodhën të qëndronin drejt për lirinë e tyre dhe të gjithë kombit”, ka deklaruar Haradinaj.

Më tutje, ai ka pohuar se “sakrifica e tyre nuk mund të shihej si një ngjarje e vetme, por si një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë”.

“Akti i tyre heroik përforcoi vendosmërinë dhe rezistencën e popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë së plotë. Për secilin prej nesh, Epopeja e UÇK-së na e sjellë në vëmendje rëndësinë e lirisë që e gëzojmë. Epopeja e UÇK-së vazhdon të jetë një moment lavdie, frymëzim për të ardhmen tonë si shtet i lirë dhe i pavarur, i integruar në BE dhe NATO, dhe në një marrëdhënie të ngushtë me ShBA-në. Lavdi familjes emblematike Jashari, lavdi të rënëve për liri”.