Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se “Epopeja e UÇK-së”, është ngjarja ku populli i Kosovës, bëri një kapërcim të madh në luftën për liri.
Ai ka thënë se kjo luftë ka nisur breza më herët dhe se “Epopeja e UÇK-së është trashëgimi politike e kulturore.
“Kosova është çliruar prej Serbisë okupatore, pikërisht nëpërmjet trashëgimisë politike që e prodhoi personalitetin dhe figurën e Adem Jasharit. Nga kjo trashëgimi po ndërtohet shteti i Kosovës. Rezistenca e Jasharajve është unike në vetvete po nuk është pa referenca nga e kaluara”, ka thënë Kurti në fjalimin e tij në seancën solemnet të Kuvendit.
Kryeministri ka thënë se në Adem Jashari ka hise të madhe në çlirimin dhe shtetndërtimin e vendit.
“Në historinë e çlirimit dhe shtetndërtimit, Adem Jashari dhe krejt çfarë përfaqëson figura e tij ka një hise shumë të madhe, që në të vërtet është hisja më madhe që mund ta ketë njeriu. Ajo është e një njeriu që brenda kohës së tij dhe qenies së tij vepruese, lirinë e tij individuale e për bashkoi me lirinë e popullit të tij gjatë gjithë jetës deri në vdekjen heroike. Liria ishte kushti i jetës e që u bë edhe kushti i vdekjes së Adem Jasharit. Andaj nëse historia është përparimi i vetëdijes së popujve për liri, atëherë Adem Jashari është emri i përveçëm i njeriut me të cilin ne mund t’i referohemi lirisë tonë”, ka thënë Kurti.