Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) e ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë ndaj prokurores së Departamentit për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Pejë, Valbona Disha-Haxhosaj.
Kërcënimi ndaj saj u bë përmes rrjeteve sociale me publikimin e një afisheje me përmbajtje mortore.
“Ky akt i shëmtuar, për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe tërësisht për sistemin prokurorial, është një akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm,” tha KPK-ja në një deklaratë.
KPK-ja ka shprehur mbështetje të plotë për punën e prokurores Disha-Haxhosaj dhe ka njoftuar se janë duke u ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personit apo të personave që kanë vendosur këtë lajmërim të paskrupullt.
“Në këtë drejtim, KPK-ja, siguron opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla dhe veprime të tjera, çfarëdo qofshin ato, që bëhën ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen vetëm parimet e drejtësisë,” tha KPK-ja në deklaratën e saj.
KPK-ja ka theksuar se institucionet e prokurorit të Shtetit janë duke e trajtuar seriozisht këtë veprim penal dhe në nivelin e duhur të hetimit dhe të ndjekjes gjer në ndriçimin e plotë të tij.