Lajme

“Joserioz ndaj BE-së e SHBA-ve”/ Pantina: Kurti mos të luajë me zjarr, të parët do të digjemi ne

03/04/2024 13:41
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha sot se Bashkimi Evropian duhet ta integrojë Kosovën pjesë të saj, si përgjigje ndaj kërcënimeve të Serbisë për sigurinë në vend.

Lidhur me këtë, anëtarja e LDK-së, Shqipe Pantina, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti po tregohet joserioz me BE-në e SHBA-të, derisa nuk i dëgjon kërkesat e tyre por i bën kërkesa atyre.

“Kryeministri Kurti po tregohet shumë joserioz në raport me BE-në por edhe me SHBA-të. Ai sikur jeton në një planet politik paralel dhe as që i sheh e dëgjon kërkesat që vijnë nga ndërkombëtarët e që janë kërkesa të bazuara jo vetëm në zotimet e qeverive të mëhershme të Kosovës por edhe nga vet qeveria e kryeministri Kurti”, thotë ajo.

Pantina vlerëson se janë një varg kriteresh për t’u bërë pjesë e BE-së dhe se dogmatizmi e popullizmi s’mund t’i shiten diplomatëve të huaj.

“Për t’u bërë pjesë e BE-së janë një varg hapash që duhet ndjekur e shumë standarde e kritere për t’u plotësuar, e një nga kriteret është edhe fqinjësia e mirë edhe mospasja e konflikteve të hapura mes shteteve anëtare. Ne kemi një konflikt shumë serioz të hapur me Serbinë dhe para se Kryeministri të kërkojë të bëjë hapin e 10-të, ai duhet të bëjë hapat e parë fillimisht dhe të ulet në tavolinën e dialogut me qëllimin që të arrijë marrëveshje e jo të shes dogmatizëm siç e bën ai. Dogmatizmi e popullizmi mund t’i shiten në Kosovë tek militantët e tij por jo edhe te diplomatët me karrierë e përvojë të gjatë politike, siç janë diplomatët e BE-së dhe SHBA-së”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.

Se sa pritet që të merren parasysh kërkesat e Kurtit, derisa Kosova është ende nën masat e BE-së dhe Serbia nuk është sanksionuar nga BE për sulmin në Banjskë, Pantina shprehet habitur që një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Sa i përket mos sanksionimi i Serbisë për sulmin në Banjskë, edhe për mua është për t’u habitur se besoj se Serbia është dashur të sanksionohet, por BE është duke u treguar më e matur me Serbinë edhe për shkak të lidhjeve që ajo ka me Rusinë dhe mundësisë që Rusia mund të shfrytëzojë për të eskaluar konfliktin edhe në këtë pjesë të Evropës e që do ishte me pasoja tejet të mëdha për gjithë Evropën por në rend të parë për ne”, thekson anëtarja e LDK-së.

Andaj, sipas saj, nuk duhet bërë veprime kokë në vete nga Kosova, pasi kryeministri luan me zjarrin por digjen qytetarët.

“Prandaj, është jetike për Kosovën që mos të bëjë asnjë veprim kokë në vete kur e dimë se nuk mund t’i dalim në krye pa ndihmën e miqve ndërkombëtare. Kryeministri nuk duhet të luajë me zjarrin se të parët do të digjemi ne”, deklaron Shqipe Pantina./Gazeta Blic/

Kurti: Anëtarësimi ynë në strukturat evropiane si përgjigje ndaj kërcënimeve nga Serbia