Lajme

“Trafiku Urban” del me sqarim pas vdekjes së gruas që u alivanos në autobus

03/03/2024 14:57
nga:Sh R

Një grua është alivanosur në autobusin e trafikut urban, mesditën e së shtunës në Prishtinë.

Më pas e njëjta është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku nga mjekët është konstatuar se e njëjta ka ndërruar jetë.

Lidhur me këtë rast ka reaguar ndërmarrja publike “Trafiku Urban”.

Në njoftimin e tyre është bërë e ditur se viktima në bazë të videove që janë siguruar nga kamerat, kishte hyrë në autobus bashkë me një qytetare tjetër dhe në momentin që është alivanosur i është ofruar ndihmë nga konduktori, i cili ka njoftuar ndihmën e shpejtë.

“Në bazë të videoincizimeve të nxjerra nga kamerat e autobusit dhe raportit të punëtorëve që ishin në autobus, vërehet se qytetarja në fjalë ka hyrë në autobus së bashku me një qytetare tjetër nga dera e parë dhe është ulur në karrigen e parë në anën e djathtë të autobusit në krah me derën e hyrjes. Pasi që është ulur, qytetarja alivanoset dhe konduktori reagon menjëherë, duke ofruar ndihmë dhe njoftuar shërbimin e ndihmës së shpejtë, të cilët kanë arritur për 4 minuta në vendngjarje”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.

Ndërkaq, thuhet se autobusi ka qenë i ndalur në stacion kur ka ndodhur rasti, ndërsa prezentë ishin rreth 17 qytetarë.