Sporti

“Arbitri gaboi rëndë”, Ancelotti: Më shumë u mërzita për Bellingham!

03/03/2024 10:17
nga:E K

Real Madrid nuk shkoi më shumë se barazimi 2-2 në Mestalla përballë vendasve të Valencias. Në fakt, madrilenët ishin shumë pranë triumfit duke qenë se e gjetën golin e tretë në shtesë falë Bellingham, por arbitri kryesor Gil Manzano vërshëlleu fundin e ndeshjes pak sekonda para se britaniku ta dërgonte topin në rrjetë.

Kjo shkaktoi një tension të madh pas përfundimit të sfidës me arbitrin Manzano që i tregoi kartonin e kuq Bellingham për protesta. Trajneri Carlo Ancelotti në konferencën pas ndeshjes e theksoi në më shumë se një rast se gjyqtari gaboi rëndë ndërsa shtoi se përveç të tjerave, ai nuk duhej të kishte ndëshkuar me karton të kuq Bellingham.

“Nuk kam shumë për të thënë sepse ndodhi diçka e paprecedentë dhe që nuk e kisha hasur kurrë më parë në karrierën time. Pasi portieri kundërshtar largoi topin, arbitri edhe mund ta mbyllte ndeshjen në atë moment. Por, e la lojën dhe ne e morëm sërish në zotërim topin, mendoj se gaboi rëndë.

Edhe më shumë keq më vjen për kartonin e kuq ndaj Bellingham. Ai nuk i tha asgjë të keqe arbitrit, thjesht theksoi se goli ishte i rregullt dhe e vërteta kjo është. Jemi të mërzitur dhe të inatosur. Por, na duhet të qetësohemi sepse duke parë klasifikimin, ende mund ta bëjmë gjumin të qetë”, u shpreh Ancelotti.