Krahas ardhjes thuajse të paralajmëruar të Kylian Mbappe për sulm, Real Madridi dëshiron gjithashtu të përforcojë mbrojtjen. Pas pesë vitesh në Bayern Munich, Alphonso Davies mund të largohet drejt Spanjës.
Mbrojtësi 23-vjeçar kanadez përfundon kontratën e tij me klubin bavarez në qershor 2025, kështu që merkato e ardhshme e verës do të jetë shansi i fundit për të fituar disa para duke shitur mbrojtësin e shpejtë, përcjell GazetaBlic Sport.
Gazeta gjermane Bild raporton se këtë javë ka pasur takime mes drejtuesve të Bayernit dhe agjentit të lojtarit, ku mësohet se klubi do të kërkojë 70 milionë euro për ta liruar. Këto vlera duken joreale nga këndvështrimi i Real Madridit, pasi Marca raporton se merengët do të përpiqen të negociojnë lojtarin për 35 milionë euro. Gjysma, pra, dhe një marrëveshje në logjikën e asaj që në vitin 2014, pas Kupës së Botës në Brazil, e çoi Toni Kroos nga Bavaria në Madrid.
Ashtu si Davies, edhe mesfushori po përfundonte kontratën me Bayernin dhe spanjollët arritën ta nënshkruajnë për një çmim ‘të volitshëm’ duke marrë parasysh cilësinë e lojtarit: 25 milionë euro.
/GazetaBlic Sport/