Lajme

Dita Ndërkombëtare e Përdoruesve të Karrocës, në Prishtinë ende shumë sfida në lëvizjen e tyre të lirë

03/01/2024 15:26
nga:Sh R

Në Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, u mbajt aktiviteti me shëtitje në karrocë në njërën nga rrugët e kryeqytetit.

Drejtori i Handikosit, Afrim Maliqi tha se kjo kategori ende po përballen me mjaft sfida dhe duhet parë se si duhet të rregullohet.

“Duhet të krijohet një ambient i qasshëm për të gjithë. Ky është edhe qëllimi i kësaj ditë por edhe i rëndësisë së përdorimit të karrocës”, ka thënë Maliqi.

Tutje ai ka cituar një hulumtim, sipas së cilit, mungesa e qasjes është një nga sfidat më të mëdha në Kosovë.

“Komunat kanë bërë progres por jo aq sa duhet. Çdo ndërtues duhet të plotësojë standardet sipas udhëzimit. Po ashtu kjo kategori edhe ka ngritur shpesh edhe padi për mos përmbushje të standardeve”, u shpreh Maliqi.

Ndërsa nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Jehona Lushaku – Sadriu premtoi përkrahje komunale dhe qasje sa më të lehtë në kryeqytet. Ajo vet u përballë për pak çaste me sfidat të cilat i kalojnë kjo kategori, duke e provuar ecjen në karrocë.

“Mezi po pres t’i shoh kontratat, për t’i parë këto rrugë se si duhet të sanohen. Ne mund të ndikojmë në përmirësimin e gjendjes, (në mënyrë që v.j.) të kenë qasje sa më të lehtë dhe të sigurt. Por përveç vullnetit duhet edhe mjetet”, ka thënë ajo.

Dita e Përdoruesve të Karrocës, për herë të parë u shënua më 2019 në Kosovë, me qëllim të arritjes së ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijësimit të shoqërisë për ta bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë.

Në Kosovë llogaritet që janë mbi 4 mijë përdorues të karrocës./rtk/