Lajme

Verifikimi i peticioneve për shkarkimin e kryetarëve drejt përfundimit

02/29/2024 20:19
nga:Sh R

Peticionet që qytetarë serbë organizuan për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore për më shumë se një muaj gjenden në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për verifikim.

Udhëzimi administrativ nuk i përcakton afat KQZ-së për përfundimin e këtij procesi.

Por, jozyrtarisht televizioni ka kuptuar që verifikimi i peticioneve është drejt përfundimit dhe se së shpejti pritet që KQZ-ja të konstatojë nëse është plotësuar kushti për sigurimin e nënshkrimeve të së paku 20% të votuesve të regjistruar.

Gjithsesi mungesa e një afati në udhëzim po kritikohet nga Drejtori Ekzekutiv i Rrjeti i OJQ-ve Lokale “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari.

“Ajo çfarë ka ndodhur me mbledhjen e nënshkrimeve dhe dorëzimin e tyre në KQZ përmes këtij udhëzimi nuk shpjegohet ndonjë afat se sa do të ketë afat KQZ-ja për të kthyer përgjigje për të pranuar dhe verifikuar ato nënshkrime në mënyrë që ti hap rrugë pastaj procesit të votimit”, ka thënë Shemsi Jashari – Demokracia Fillon Këtu.

Por, ndonëse nuk ekziston një afat brenda udhëzimit, është një ligj tjetër që në këtë rast e përcakton kohën gjatë së cilës KQZ-ja duhet ta kryej punën e saj.

“Në mungesë të këtyre dispozitave është ligji për procedurën e përgjithshme administrative, përkatësisht neni 92 i tij i cili përcakton kur nuk ka afate atëherë afat maksimal që duhet të përfundohet një procedurë është 45 ditë nga momenti i fillimit të saj”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Televizioni gjatë të enjtes ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga KQZ rreth procesit të verifikimit të peticioneve, por zyrtarë të këtij institucioni kanë qenë të paqasshëm.