Lajme

Hyrja e Suedisë në NATO e kompleton aleancën ushtarake

02/29/2024 08:26
nga:N K

Derisa NATO-ja ka pritur me durim për gati 18 muaj që Turqia dhe Hungaria ta japim përfundimisht dritën jeshile për anëtarësimin e Suedisë në aleancën ushtarake, ngazëllimi në Bruksel për ta mirëpritur këtë vend si anëtaren e 32-të nuk është zbehur.

Një diplomat i NATO-s e ka përshkruar anëtarësimin e Suedisë si “hapi i fundit” për kompletimin e arkitekturës së sigurisë së NATO-s në rajonet nordik, arktik dhe baltik.

Për ta kuptuar rëndësinë, mjafton ta shikosh hartën. Suedia është vendi i pestë më i madh në Evropë; ajo është më e madhe se Gjermania, shtrihet 1.600 kilometra në drejtimin veri-jug dhe ka një vijë bregdetare dyfish më të gjatë.

Është e qartë nga bisedat me zyrtarë të ndryshëm të NATO-s se roli i Suedisë në NATO ka të bëjë me dy gjëra:

E para, ajo do të jetë qendër për aktivitete në pjesën veriore të Evropës, ku mund të dërgohen shumë armë dhe trupa dhe anasjellja, duke e bashkuar Suedinë me vendet nordike, Danimarkën, Finlandën, Islandën dhe Norvegjinë, në të njëjtën organizatë ushtarake për herë të parë në historinë moderne. Më 2009, kjo pesëshe ishte pajtuar për Bashkëpunimin Nordik në Mbrojtje (Nordefco). Megjithëse nuk është pakt i mbrojtjes së përbashkët de facto, ai ka disa tipare, për shembull, armë të caktuar të përbashkëta, pra ato ia lejojnë njëra-tjetrës përdorimin e infrastrukturës ushtarake dhe hapësirën ajrore. Tani që Suedia po i bashkohet NATO-s, do të jetë një grup i anëtarëve të aleancës që ka një integrim shumë të zhvilluar rajonal.

E dyta, Suedia shihet si garantuese e qëndrueshme e sigurisë – posaçërisht kur vjen puna për tri vendet baltike, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, të cilat tani do të jenë të lidhura me pjesën tjetër të rajonit nordik. Suedia do të kontribuojë me 800 oficerë në brigadën e NATO-s në Letoni qysh nga viti i ardhshëm. Ajo do të jetë vendimtare edhe në mbrojtjen e çdo cepi të tokës së shteteve baltike menjëherë, sepse është në gjendje të japë mbështetje të shpejtë detare dhe ajrore.

Përparësia mbase më e qartë e anëtarësimit të Suedisë në NATO është se Deti Baltik do të bëhet njëfarë “liqeni i NATO-s”, sepse aleanca ushtarake në thelb e rrethon enklavën ruse, Kaliningard, dhe i kontrollon të dyja anët e Gjirit të Finlandës i cili të çon drejt qytetit të dytë më të madh të Rusisë, Shën Petersburg.

Gotland, ishulli ma i madh në Detin e Baltik, do të jetë papritmas shumë i rëndësishëm. Ai i takon Suedisë dhe ndodhet vetëm 300 kilometra larg Kaliningardit, ndërsa tani do ta ketë një ngritje të madhe, pasi porti i tij do të zgjerohet dhe regjimenti që ishte larguar nga aty vite më parë, është rivendosur. Në radhë është përforcimi i linjave hekurudhore në veçanti, në mënyrë që të mundësohet transportimi i më shumë mallrave ushtarake.

Por, edhe qytetit të dytë më të madh dhe portit më të madh të Suedisë, Gotenburg, i cili ndodhet në bregdetin perëndimor të vendit, do t’i rriten kapacitetet gjithashtu, si një pikë e madhe hyrëse për pajisjet ushtarake dhe trupat e NATO-s. Suedia i ka shpenzuar tashmë 2 për qind të bruto prodhimit të brendshme (GDP) për mbrojtjen, duke e arritur cakun e NATO-s nga viti 2014 që shumë anëtarë të aleancës nuk e kanë arritur ende./REL