Lajme

FOL: Qeveria realizoi vetëm 36 % të aktiviteteve të parapara të përfundojnë gjatë 2023

02/28/2024 13:20
nga:G C

Vetëm 36 për qind e aktiviteteve të parapara gjatë vitit 2023 janë përfunduar nga Qeveria e Kosovës. Kështu u tha në konferencën për media nga Lëvizja FOL, ku u publikuan të dhënat nga monitorimi i Planit Vjetor të Punës së Qeverisë, tashmë i quajtur Plani Kombëtar për Zhvillim.

Në vitin 2022, niveli i zbatimit të Planit të Punës së Qeverisë ka rezultuar të jetë 49 për qind, ndërsa në vitin 2021, realizimi i Planit të Punës së Qeverisë ishte 56 për qind.

Burbuqe Kastrati, menaxhere e projektit në Lëvizjen FOL, tha se edhe këtë vit FOL ka bërë monitorimin e aktiviteteve të parapara në Planin Kombëtar për Zhvillim, shkruan EO.

“Qeveria e Kosovës nga 655 aktivitete të parapara të realizohen brenda periudhës janar-dhjetor 2023 ka arritur të realizoj vetëm 234 apo 36%, nuk i ka realizuar 151 apo 23 %, dhe nuk kanë kthyer përgjigje për 270 aktivitete apo 41 %”, tha Kastrati duke shtuar se numrin e madh të aktiviteteve pa përgjigje e kanë shtuar edhe tri ministritë që nuk janë përgjigjur fare e që kanë pasur një numër të madh të aktiviteteve të parapara.

Kastrati theksoi gjithashtu se Zyra e Kryeministrit, Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë nuk janë përgjigjur fare në pyetësorin e dërguar nga ne, dhe gjithashtu një numër i madh i ministrive kanë lënë pyetje pa përgjigje.

Gjitashtu, Kastrati shpjegoi se të gjitha aktivitetet e parapara të përfundojnë brenda periudhës janar-dhjetor 2023 përmes pyetësorëve u janë dërguar sekretarëve të përgjithshëm të ministrive. Pra, sipas saj, të dhënat e prezantuara sot, janë të dhëna të marra direkt nga personat përgjegjës për realizimin e këtyre aktiviteteve.

Ndërkaq Viona Bunjaku, monitoruese në Lëvizjen FOL, prezantoi të dhënat për secilën ministri sa i përket realizimit të aktiviteteve të parapara të përfundojnë brenda vitit 2023.