Sporti

Forcë e shtuar në mesfushën e Suharekës, Arbios Thaçi: Synojmë arritjen e objektivave, i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre

02/27/2024 16:43
nga:Mergim Rreci

Skaudra e Suharekës e ka filluar shumë mirë edicionin pranveror në Ligën e Parë.

Kjo skuadër fillimisht siguroi kalimin tutje në Kupën e Kosovës, kurse më pas triumfoi edhe në dy takimet në Ligën e Parë, fillimisht ndaj Trepçës ’89, kurse më pas e mposhti edhe Rahovecin, shkruan GazetaBlic Sport.

Brenda kësaj skuadre ka emra të njohur të futbollit kosovar, kurse në merkaton e dimrit siguroi edhe disa afrime shumë cilësore, në mesin e tyre edhe mesfushorin e mirënjohur, Arbios Thaçin.

Thaçi ka sjellur qetësi dhe cilësi tek Suhareka, duke qenë një futbollist me shumë përvojë ndër vite, madje në mesin e më të mirëve të futbollit kosovar në këtë pozitë.

Ai tha se është i lumtur me rezultatet dhe formën e skuadrës, duke shpresuar që të arrijnë qëllimin e tyre kryesor, inkuadrimin në Superligë.

Kushtet janë shumë të mira dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e kësaj skuadre. E jap më të mirën time dhe synojmë që bashku t’i arrijmë objektivat që kemi. E kemi nisur shumë mirë me dy fitore, shpresoj që do ta vazhdojmë në të njëjtën mënyrë. Me punën që po bëjmë, besoj që do të kemi rezultate të vazhdueshme pozitive“, deklaroi Thaçi për ‘GazetaBlic Sport’.