Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh se sot i drejtohet qytetarëve, pasi që siç tha ai “mjaftueshëm i jemi drejtuar njëri-tjetrit me fjalët që lëndojnë raportet tona dhe qytetarët”.
“Tani kur transformimi i qytetit po merr formë, ku qindra projekte zhvillimore po zbatohen në teren, po tentohet të ndalet zhvillimi i Prishtinës për inate puro politike. Kjo është politika juaj, politikë e bllokimit të kryeqytetit dhe qytetarëve të saj”, tha Rama.
Rama shtoi se oportunizmi politik po kërcënon me na e marrë kryeqytetin i nisur nga agjendat personale e jo nga nevojat e qytetarëve
“Kjo tentativë për me rrëmbye pushtet, është një shuplakë për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ne që jemi kujdestarët e këtij qyteti, kemi përgjegjësi më të lartë. Jemi zgjedhur jo për të luajtur lojëra politike, por për ta shndërruar Prishtinën në një qytet me plotë jetë”, u shpreh kryetari Rama.
Ai kërkoi nga asamblistët që të mos votojnë “rrëmbimin” e pushtetit duke shkarkuar kryesuesin Pëllumb Bajçinovcin.
Këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje me mbështetje të këshilltarëve të AAK-së, një këshilltari të AKR-së dhe një këshilltari të pavarur, kanë iniciuar mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Prishtinës për të shkarkuar me të vetmen pikë kryesuesin e Kuvendit.