Sporti

Inter drejt titullit në Itali, ish-trajneri i Juventus: Nuk i prisja kaq dominues

02/27/2024 15:00
nga:Lorik J

Nëntë pikë më shumë se Juventusi i vendit të dytë dhe me një ndeshje për të rikuperuar. Inter është me një “dorë” tek titulli kampion në Itali teksa skuadra e drejtuar nga trajneri Simone Inzaghi meriton të gjitha elozhet teksa këtë sezon numëron vetëm një humbje të pësuar nga Sassuolo. Një ecuri fantastike, për të cilën ish-trajneri i Juventus, Marcelo Lipp shprehet se nuk e priste.

“Nuk e prisja që Inter të shfaqej kaq dominues. E dija se do të ishte një shkallë më lartë se pjesa tjetër, por jo me këtë diferencë.

Ka nëntë pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, fiton edhe kur bën ndryshime në formacion, mendoj se kanë gjithçka për të qenë kampionët e Italisë. Nga ana tjetër, prisja që Juventusi të garonte më shumë dhe të mos kishte kaq diferencë me Interin, të paktën në këtë pikë të kampionatit”, u shpreh Lippi.