Sipas sondazhit të fundit të publikuar nga PIPOS, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, sërish do të kryesonte partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me 40.9% të votave.Në vendin e dytë sipas, PIPOS, është rënditur Lidhja Demokratike e Kosovës me 21.5% ndërsa në vendin e tretë Partia Demokratike e Kosovës me 20.4% të votave.
Në lidhje me rezultatet e këtij sondazhi ka folur për “Gazeta Blic” deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.Krasniqi tha se sondazhi paraqet një perceptim të momentit i cili mund të ndryshoj.
Ajo potencoi se rënia e LVV-së është më e madhe se sa është paraqitur në sondazh pasi sipas saj qytetarët janë zhgënjyer me Albin Kurtin.
“Sondazhi i publikuar ditën e djeshme nga PIPOS me pyetjen se cilën parti do ta votonit nëse zgjedhjet mbahen këtë të diel, paraqet një përceptim të momentit nga të anketuarit, i cili mund të ndryshoj në një moment tjetër. Ajo çka dua të them është se rënia e Lëvizjes Vetëvendosje është më e madhe se sa është paraqitur në këtë sondazh sepse populli është zhgënjyer në masë të madhe me mënyrën e udhëheqjes së shtetit që ka bërë Albin Kurti. Për rrjedhojë edhe gjendja faktike është e rënduar në çdo segment të jetës për qytetarët” deklaroi Krasniqi për “Gazeta Blic”.
Deputetja e LDK-së tha se “Rruga e Re” dhe plani i LDK-së janë mirpritur nga qytetarët dhe se një përqindje e lartë e tyre e shohin këtë subjekt politik si shpresën e vetme për vendin.
“Në këtë kontekst ‘Rruga e Re’ dhe plani i LDK-së për ta rikthyer shtetin në rrugë të duhur është mirpritur nga populli, gjë të cilën e kemi evidentuar edhe ne me majtet që kemi realizuar së fundmi, ku një përqindje e lartë e qytetarëve e shohin LDK-në shpresën e vetme për vendin” deklaroi Krasniqi në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.
Ndërsa, nga AAK-ja në lidhje me rezultatet e këtij sondazhi ka folur për “Gazeta Blic”, drejtori i Informimit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), Lulzim Blaka.
Blaka tha se një sondazh i besuar do të ishte nëse do të porositej nga të gjitha partitë.Ai tutje potencoi se nga matjet që ata kanë bërë koalicioni AAK-NISMA gëzon 14% të mbështetjes së qytetarëve.
“Ne nuk kemi marrë pjesë në sponzorime të sondazheve, por është e drejta e VV-së dhe e të gjitha partive ta bëjnë një gjë të tillë.Një sondazh i besuar, do të ishte kur do të porositej nga të gjitha partitë. Sipas matjeve tona të brendshme, mund të ndajë dy elemente me ju: bashkimi opozitar ku bëjnë pjesë AAK, Nisma, DK dhe E2030, për momentin gëzon 14% të mbështetjes popullore” tha Blaka për “Gazeta Blic”.
Sipas tij, koalicioni rreth VV-së, e ka humbur shumicën dhe se nuk e formon dot Qeverinë nëse zgjedhjet do të mbaheshin tani.
“Koalicioni rreth VV-së e ka humbur ndjeshëm shumicën, e me këtë trend, nuk e formon dot qeverinë nëse zgjedhjet do të mbaheshin këto ditë.Bashkimi opozitar, ka filluar të shihet si alternativë serioze e keqqeverisjes së Kurtit” deklaroi Blaka për “Gazeta Blic”.
PIPOS: Nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, kjo parti do të fitonte