Çështja e dinarit do të jetë pjesë e dialogut por pa rezultate pozitive për Serbinë.
Kështu po vlerëson njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vendimi ka qenë i panevojshëm në këtë kohë, pasi është faktorizuar Lista Serbe.
“Unë mendoj se dëmi veç është bërë, pikërisht kur nuk e koordinon në politikë, atëherë mund të ndodh që në të ardhmen e afërt se ne e dimë që Qeveria Kurti ka vënë kushte por në fund i ka anuluar të gjitha apo ka hyrë në dialog për kushtet që ka thënë se nuk do të bëjë dialog, kështu që edhe kjo po supozoj se do të jetë pjesë e dialogut në një fazë më të mëvonshme, sidoqoftë do të jetë pjesë e dialogut por nuk do të ketë ndonjë rezultat pozitiv për Serbinë në këtë rast sepse dinari dihet se çfarë qëndrimi mban edhe SHBA edhe BE, por problemi është se është shkaktuar diçka e panevojshme në një kohë kur nuk është kërkuar nga ti të bësh një veprim të tillë sepse e favorizon Listën Serbe, në njëfarë mënyrë nga defaktorizimi që ia bëre, tani po e faktorizon, duke krijuar amulli sidomos në veri të vendit. Kjo ka qenë për mua politikë e pamenduar mirë”, shprehet ai.
Sipas tij, Serbia s’mund të prodhojë tensione për këtë çështje por mund të ketë frustrime të qytetarëve serbë.
“Jo tensione do të jetë vështirë të prodhojë Serbia edhe njëherë por mund të ketë frustrime të qytetarëve të cilët duhet kuptuar, por më shumë është goditje për SHBA-të dhe BE-në sepse nuk e kanë pritur që ky proces të përshpejtohej, ata kanë pritur që të shkojë më ngadalë. Çështja e dinarit është e kuptueshme që është e ndaluar, pra BQK është dashur të koordinohet me Qeverinë njëherë, që nuk po besoj që nuk ka pasur konsultime, sepse Banka Qendrore Evropiane kur ka marrë vendim për ta konvertuar euron, ka qenë njëherë vendim politik dhe është shndërruar në një vendim teknik”, vlerëson Arifi për Gazeta Blic.
Ai komenton dhe deklaratën e kryeministrit se në Bruksel shkon vetëm nëse e thërrasin për të nënshkruar marrëveshjen.
Sipas tij, kjo s’ka kuptim diplomatik, pasi po insistojnë për diçka që s’kanë negociuar.
“Unë çka po e kuptoj kjo është një katrahurë politike Made in Kosova, d.m.th, është e pakuptimtë dhe nuk ka sens diplomatik, z.Kurti e ka negociuar këtë marrëveshje, të paktën kështu e ka thënë vetë ai, bashkë me Qeverinë e kanë negociuar dhe aty është dashur të jetë një klauzolë, një nen i veçantë që thotë se s’ka zbatim pa nënshkrim, siç thotë Qeveria. Është non sens diplomatik dhe kjo po i bie që Qeveria e Kosovës publikisht dëshiron të nxjerr diçka për të cilën nuk është negociuar dhe kjo i vë në pozitë të palakmueshme pikërisht partnerët ndërkombëtarë. Nëse Departamenti i Shtetit dhe BE po thonë që s’ka nevojë për nënshkrim, atëherë nëse ne insistojmë për diçka që nuk e kemi negociuar i bie që të ketë një dialog të ri por a do të ketë një dialog të ri kjo nuk varet nga ne por nga superfuqitë dhe ato nuk negociojnë me vende si Kosova dhe Serbia, tri herë, për të njëjtën çështje. Sidoqoftë, unë mendoj se Qeveria e Kosovës e ka të drejtën mos ta zbatojë edhe pse e ka dhënë fjalën por mandej rreshtohemi në vende jo serioze në zbatimet e marrëveshjeve ndërkombëtare”, potencon Dritëro Arifi./Gazeta Blic/


