Lajme

BE dënon vendimin e Rusisë për shpalljen e REL-it ‘organizatë të padëshirueshme’

02/21/2024 19:04
nga:Y I

Bashkimi Evropian ka dënuar vendimin e autoriteteve të Rusisë për shpalljen e Radios Evropa e Lirë “organizatë të padëshirueshme”.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se kjo është një sulm i ri ndaj lirisë së medias dhe ndaj qasjes së qytetarëve rus në informacionin pluralist.

“Bashkimi Evropian dënon vendimin e Rusisë për të shpallur REL-in ‘organizatë të padëshirueshme’. Ky është një sulm i radhës ndaj medias të lirisë, lirisë së shprehjes dhe qasjes së qytetarëve në informacionin pluralist. Rusia duhet të shfuqizojë legjislacionin për ‘organizata të padëshirueshme’ dhe ‘agjentë të huaj’ që përdor për të shtypur dhe heshtur zërat kritikë”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.

REL-i është futur në regjistrin e Ministrisë ruse të Drejtësisë për “organizata të padëshirueshme”. Vendimi për këtë është marrë më 2 shkurt, por është bërë publik më 20 shkurt.

Paraprakisht, autoritetet e kanë shpallur REL-in “agjent të huaj”.

Sipas regjistrit të Ministrisë ruse të Drejtësisë, REL-i është entiteti i 142-të që është përfshirë në listën e “organizatave të padëshiruara” .

Presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, ka deklaruar se ky vendim përbën shembullin e fundit se si Qeveria ruse e sheh raportimin e vërtetë si kërcënim ekzistencial.

Ligji për “organizata të padëshirueshme” është miratuar më 2015, dhe është përkrahur prej Kremlinit, për të rregulluar organizatat joqeveritare që pranojnë fonde prej jashtë.

Ky ligj prek organizatat, aktivitetet e të cilave, sipas autoriteteve ruse, përbëjnë kërcënim për themelet e strukturës kushtetuese të shtetit, për sigurinë, dhe mbrojtjen.

Përfshirja në listë nënkupton që një organizatë nuk mund të operojë në Rusi, dhe qytetarëve të Rusisë u ndalohet bashkëpunimin me të, sepse në të kundërtën rrezikohen nga ndjekja penale.

Radio Evropa e Lirë është korporatë e pavarur amerikane, e financuar prej Kongresit amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Media Globale.

Radio Evropa e Lirë ka prezencë përmes 27 gjuhëve në 23 shtete – kryesisht për audiencat ku liria e mediave është e kufizuar.

Faqet dhe llogaritë e REL-it nëpër rrjetet sociale, përfshirë faqet e Shërbimit rus të kompanisë, janë bllokuar prej Roskomnadzor-it, agjencisë federale që monitoron mediat ruse, në pranverë të vitit 2022, për shkak të refuzimit për të hequr informacionin për luftën e nisur prej Rusisë në Ukrainë.

Pavarësisht bllokadave, interesimi i audiencës për informacionin që ofron REL-i dhe Current Time – televizion i krijuar prej Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës – vazhdon të jetë i madh, pasi kompania regjistron miliona klikime nëpër faqet e saj në internetit dhe në plaformat tjera që ka.