Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se kryetarët e katër komunave në veri nuk janë të zgjedhur nga shumica e popullit. Ai gjithashtu tha se zyrtarët që shkojnë në veri e krekosen duke dalë nëpër foto atje e me deklarata që po promovojnë zhvillim ekonomik.
Hoti tha se nuk mund të krenohemi me arritjet në këtë pjesë të Kosovës.
“Nuk mund të krenohemi në Prishtinë që i kemi katër kryetarë të komunave në veri, kur ata janë zgjedhur me 2-3 për qind. Nuk mund të krenohemi që e kemi shtrirë sovranitetin atje, kur nuk ka asnjë polic të komunitetit serb atje. Jemi në vitin 2024, qeverisja lokale duhet të burojë nga qytetarët e atij lokaliteti. Nuk mund të krenohemi që e shtrijmë sovranitetin tonë me forca speciale atje. Atje pushteti shtrihet duke e integruar atë komunitet brenda institucioneve të Kosovë. Është fakt që ai komunitet është nën ndikimin negativ të Serbisë, por duhet të bëjmë gjithçka me aleatët tanë që ata t’i integrojmë”, tha Hoti për Klan Kosova.
Sipas tij, postimet e ministrave nga veriu i Kosovës po bëhen për të mashtruar opinionin e gjerë.
“Nuk besoj që me masa policore mund të shtrihet sovraniteti atje. Sigurisht parandalohet krimi në atë pjesë të vendit dhe bëhet sundimi i ligjit, por ne kemi nevojë për të shtrirë qeverisje kushtetuese e demokratike në atë pjesë. Unë mendoj që mashtrojnë opinionin ata zyrtarë që shkojnë e krekosen duke dalë nëpër foto atje e me deklarata që po promovojnë zhvillim ekonomik, duke dalë krahas një kryetari të komunave atje që i ka 2-3 për qind që nuk komunikon askush me të, që rri 24 orë i mbyllur në zyrë, është mashtrim i opinionit të thuhet se ka më shumë autoritet të shtetit të Kosovës atje. Kanë qenë rreth 700 policë të komuniteti serb që i kanë shërbyer qytetarëve në atë pjesë të vendin nën komandën e Policisë së Kosovës me flamur të Kosovës në krah. Kanë qenë gjyqtarë e prokurorë që kanë marrë vendime në nivel të ndryshëm të gjykatave sipas ligjeve të Kosovës. Kështu shtrihet sovraniteti. Është e rëndësishme”, u shpreh ish-kryeministri Hoti.