Lajme

Mbyllet për publikun gjykimi në mungesë ndaj serbit të akuzuar për krime lufte në Kosovë

02/21/2024 12:26
nga:N K

Me propozim të prokurorit special Ilir Morina, është mbyllur për publikun gjykimi ndaj të akuzuarit Dejan Raciq, i cili ngarkohet për dhunim seksual gjatë luftës në Kosovë.

Prokurori Morina deklaroi se nën supozimin ligjor që i akuzuari Raciq nuk e pranon këtë vepër penale pasi që i njëjti gjykohet në mungesë dhe meqenëse në këtë shqyrtim gjyqësor mund të diskutohen detaje lidhur me identitetin e viktimës, kërkoi që të mbyllet seanca.

Prokurori po ashtu shtoi se gjatë fazës së hetimit në rastin konkret, gjyqtari i procedurës paraprake kishte nxjerrë urdhër mbrojtje ndaj të dëmtuarës dhe kishin obligim ligjor që ta zbatojnë të njëjtin.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Raciq, avokati Osman Mehmeti nuk e kundërshtoi propozimin për mbylljen e seancës.

Andaj, me aprovim të gjykatësit Vesel Ismaili, gjykimi vazhdoi i mbyllur.

Ndryshe në këtë gjykatë, më 20 nëntor 2023 kishte filluar mbajta e gjykimit në mungesë edhe ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq, i cili po akuzohet për krime lufte në fshatin Reçak.

Gjykimi në mungesë parashihet me Kodin e Ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakauzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës e ngritur më 27 nëntor 2023, Dejan Raciq akuzohet se në cilësinë e ushtarakut rezervist të Serbisë, në kundërshtim me rregulltat e të drejtës ndërkombëtare humanitare gjatë sulmit kundër popullatës civile shqiptare në tërë territorin e Kosovës, me përdorimin e dhunës dhe veprime tjera çnjerëzore kishte kryer dhunim seksual nga gruas së nacionalitetit shqiptar.

Andaj, Raciq po akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile” nga neni 142 të Kodit Penal te Jugosllavisë, aktualisht e inkriminuar si “Krime kundër njerëzimit” nga neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.7 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi