Lajme

Ish ministrja e integrimeve: Raportet e Kosovës me SHBA-të e BE-në në pikën më të ulët – çështja e dinarit ndikoi në shtyrje të dialogut

02/21/2024 09:25
nga:G B

Ish ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, thotë se Kosova aktualisht i ka raportet me SHBA-të e BE-në në pikën më të ulët ndonjëherë.

Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova po e vuan izolimin dhe sanksionet, duke mos pasur përkrahje financiare.

“Raportet e Kosovës në politikën e jashtme, si me SHBA-të po ashtu edhe me BE dhe shtetet tjera aleate janë në pikën më të ulët që ndonjëherë Kosova i ka pas. Vetë fakti që ne jemi nën sanksione politike dhe ekonomike është treguesi më i mirë se ku i kemi punët. Kosova po e vuan izolimin politik si edhe suspendimin dhe përkrahjen financiare në miliarda euro dhe dollarë të projekteve investuese”, shprehet Ahmetaj.

Ish ministrja vlerëson se dinari është nxjerrë nga kontesti i draft statusit të Asociacionit, që ka ndikuar në spostimit të dialogut.

“Dinari është nxjerrë nga kontesti i draft statusit të Asociacionin, gjë që i kontribuoi edhe spostimit të dialogut nga BE në OKB, për çka Serbia ka lobuar për vite të tëra që një gjë e tillë të bëhet. Siç dihet në KS të OKB, ne nuk i kemi të gjitha shtetet mike dhe ky fakt e sanksionon Kosovën”, potencon ajo për Gazeta Blic.

Ahmetaj shton se Kosova ka humbur përkrahjen ndërkombëtare.

“Kosova ka humbur shumë nga përkrahja ndërkombëtare dhe nuk duhet harruar që interesi i shtetit avancohet duke bërë aleancë dhe partneritet me shtetet të cilat e mbrojtën popullin tonë nga asimilimi dhe e ndihmuan Kosovën në shpalljen e pavarësisë dhe ndërtimin e shtetit”, deklaron ish ministrja Mimoza Ahmetaj./Gazeta Blic/