Geek

Mark Zuckerberg shpjegon pse kompanitë teknologjike po pushojnë nga puna kaq shumë njerëz, pikërisht tani

02/20/2024 12:25
nga:N K

Mark Zuckerberg ka një teori përse pushimet nga puna në kompanitë teknologjike nuk po kanë të ndalur: Kompanitë po kuptojnë se, megjithëse është e dhimbshme, ka përfitime për të qenë “më të reduktuar”.

Në një intervistë të publikuar të premten, CEO i Meta tha se kompanitë janë ende duke u përshtatur me epokën pas pandemisë, shkruan Business Insider.

Gjatë pandemisë, shitjet online arritën kulmin, gjë që solli përfitime të mëdha në reklamat në internet.

Por ndërsa njerëzit u kthyen në dyqane dhe ekonomia “u rregullua”, rritja e shitjeve u pakësua dhe normat e reklamave “ranë me këmbë në tokë”.

Kështu, shumë kompani, përfshirë Meta-n, e kuptuan se kishin marrë në punë dhe duhej të bënin shkurtime të mëdha.

Kjo ishte vala e parë e pushimeve nga puna, shkruan BI.

“Për sa i përket pushimeve nga puna dhe gjëra të tilla, unë në fakt mendoj se kjo ishte më shumë për shkak të kompanive që përpiqeshin të ‘përfitojnë’ nga Covid-19”, tha Zuckerberg në intervistë kur u pyet nëse pushimet nga puna kishin të bënin me bumin e Inteligjencës Artificiale.

Zuckerberg tha se kompanitë nuk po zvogëlojnë më numrin e madh të punonjësve të tyre thjesht për shkak të punësimit të tepërt – ata tani po kuptojnë se mund të ketë përfitime “duke qenë më të reduktuar”.

Ndërsa shumë kompani të teknologjisë hezituan të bënin shkurtime në fillim, ata e kuptuan se kjo nuk ishte fundi, tha Zuckerberg.

“Është e qartë se ishte shumë e vështirë, ne u ndamë me shumë njerëz të talentuar për të cilët kujdeseshim”, tha Zuckerberg në intervistë, duke folur konkretisht për pushimet nga puna të Meta-s në të kaluarën.

“Por, në disa mënyra, duke u bërë më të reduktuar, e bëmë kompaninë më efektive”.

Kështu, thekson BI, që kur Meta shkurtoi dhjetëra mijëra punonjës të saj duke filluar me “vitin e efikasitetit” të Zuckerberg-ut, kompania është duke u rikthyer, me aksionet e saj në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.

Sot, kompanitë janë ende në mënyrën e të menduarit për efikasitetin, tha Zuckerberg gjatë podcast-it të Morning Brew.

Shumë po mendojnë të ristrukturojnë kompaninë, të “rrafshojnë” nivelet e menaxhimit dhe të kalojnë në një model më të reduktuar.

Në këtë drejtim, kompanitë si Microsoft dhe Google kanë vazhduar të zvogëlohen pavarësisht fitimeve të qëndrueshme.

Ndërkohë edhe një numër i CEO-ve në kompani si Amazon kanë përmendur planet për të ristrukturuar kompaninë dhe për të investuar në zona me AI.

Por Zuckerberg tha se ai nuk mendonte se AI ishte një pjesë e madhe e ekuacionit.

“Të paktën për ne, gjërat e AI nuk ishin një shtytës kryesor për këtë”, tha CEO .