Sporti

Pioli: Nuk mund të rrezikoja me Pulisic dhe Leao, Jovic gaboi rëndë

02/19/2024 15:16
nga:E K

Monza regjistroi një fitore sa të rëndësishme, po aq edhe historike mbrëmjen e të dielës përballë Milan-it, pasi kjo ishte fitorja e parë ndaj “kuqezinjve” në Serie.

Skuadra e Palladino-s triumfoi 4-2 në një ndeshje që i kishte të gjitha, teksa trajneri i Milan-it, Stefano Pioli u shpreh i hidhëruar pas këtij rezultati që nuk i lejoj kuqezinjtë të ngjiteshin në vendin e dytë.

“Bëmë disa gabime që rrezikuan ndeshjen. Në fund ne treguam se kishim cilësitë për ta përmbysur. Ishte një mbrëmje ku bëmë edhe shumë gabime. Ndryshimet në formacion nuk ishin pa arsye, Pulisic nuk u stërvit sepse ishte ende i lodhur dhe Leao duhej të luante, por ai në momentin e fundit ndjeu shqetësime dhe nuk mund të rrezikoja. Është një humbje që me të vërtetë dhemb duke pasur parasysh se si erdhi, ishte vërtet një mbrëmje e keqe” – tha fillimisht Pioli.

Më pas, trajneri italian foli edhe për episode, gabimet dhe objektivat e skuadrës së tij.

“Të gjithë duhet të kishim bërë më mirë në momente të caktuara. Këtë sezon po dhurojmë penallti naive. Jovic? Këto janë gabime të rënda, duhet të nxjerrim mësime dhe nuk duhet të përsëriten më. Gabuam dhe te goli i tretë, ishte një situatë ku nuk ishim të barabartë dhe i krijuam hapësirën kundërshtarit. Sezoni dhe objektivat? Nuk kemi hequr dorë nga Serie A, kështu që si në kampionat ashtu edhe në Europa League ne jemi të fokusuar. Vendi i tretë në Serie A nuk është i sigurt, vendi i dytë nuk është larg, në Europa League kemi fituar ndeshjen e parë 3-0 dhe na pret një transfertë konfirmimi që duhet të rregullojë edhe gabimet ndaj Monza-s. Sezoni është i gjatë” – përfundoi Pioli.