Lajme

Berisha: Osmani është bërë me Kurtin për të vazhduar degradimin kushtetues e politik të vendit

02/18/2024 22:37
nga:Genita C

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha thotë se presidentja Osmani nuk ka të drejtë t’i mohojë vendimet e BQK-së.

Berisha në një prononcim për GazetaBlic, thekson se Osmani duhet të tregohet proaktive në politikën e jashtme.

“Zonja Presidente, në rolin e saj kushtetues, asnjëherë nuk ka të drejtë t’i mohoj vendimet e Bankës Qendrore të Shtetit, siç bëri në këtë situatë. Pra, kjo situatë e shumë të tjera gjatë kësaj qeverisjeje, tregojnë se Presidentja duhet të jetë proaktive në raport me politikën e jashtme, e jo të reagoi retroaktivisht”, tha Berisha.

Tutje, ai shton se Osmani dhe Kurti po vazhdojnë në degradimin e vendit.

“Presidentja nuk është në nivelin e detyrës dhe obligimit kushtetues që ka. Ajo thjeshtë është bërë “patericë” e Kurtit për të vazhduar me degradimin kushtetues e politik të vendit”, tha Berisha.

“Si e tillë dyshja drejtuese e Republikës së Kosovës, Kurti dhe Osmani pretendojnë ta rëndojnë përspektiven e Republikës së Kosovës, duke e shndërruar në krijesë e cila gjoja “lufton të drejtat e pakicës serbe në Kosovë” siç po pretendon Beogradi.Veprimet e Presidentes i shoh si konsekuencë e faktit se kjo e ka djegë shtëpinë e vet, prej nga është katapultuar në skenën politike, tani duhet të ndjekë kursin politik të subjektit me të cilin është kurorëzuar politikisht, përkatësisht Kurtit”, tha Berisha.

Sipas Berishës, kjo është dëshmuar në shumë raste përfshirë këtu edhe sulmin në Banjskë.

“Këtë e ka dëshmuar në shumë pozicione kur është dashur të mbaj rolin kushtetues që ka. Ndodhi “banjska ‘23”, presidentja nuk ka pati qëndrim!
Asnjë veprim, as kërkesë për arrestimin e kriminelit Radojçiq (është qytetar kosovar dhe kjo është detyrë për Serbinë ta arrestoj e t’ia dorëzoj ekskluzivisht Kosovës). Konsideroj se presidentja ka hendikep gjatë zgjedhjes së saj në ketë pozitë, ndaj është e kufizuar në rolin e saj”, tha Berisha për GazetaBlic.

Ndryshe, Osmani  në një intervistë për televizionin arab “Al Aan”, tha se duhet të dilet nga kjo situatë duke arritur një marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë, për zbatimin e rregullorës së re të Bankës Qendrore të Kosovës.

“Ka hapësirë për t’u ulur dhe për të diskutuar mes qeverisë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, për të punuar rreth kësaj çështjeje”, tha Osmani.

Osmani u shpreh e bindur se do të gjendet një zgjidhje rreth kësaj teme, duke shtuar se gjithçka që është arritur në vend është “si rezultat i bashkëpunimit me aleatët”.

“Do të ishte qesharake të mos zgjidhej”, shtoi e para e vendit.

Osmani: Qeveria me aleatët të ulen e të merren vesh rreth çështjes së dinarit

Shala: Kurti me politika populiste, Osmani vegël e tij

Njohësi i politikës paralajmëron: Jemi në vijë të kuqe, mund të kemi pasoja tjera – Osmani s’ka guxim të dalë kundër Kurtit

Çështja e dinarit, Raci thotë se deklarata e fundit nga presidentja Osmani është e mirëseardhur për Kosovën