Sporti

PSG triumfon ndaj Nantes, shënon edhe Mbappe

02/17/2024 22:57
nga:Mergim Rreci

Paris Saint-Germain bën detyrën në transfertën e Nantes, duke fituar me rezultatin 0-2 në sfidën e luajtur për llogari të javës së 22-të të Ligue 1, nd7rsa numëron ndeshjen e 18-të pa humbje në të gjitha kompeticionet.

Ishin miqtë ata që poseduan në pjesën më të madhe topin, megjithatë rastet për të shënuar ishin deri diku të balancuara.

Vendasit gjetën të parët rrugën drejt rrjetës, por goli i Pallois në minutën e 45+3’ u anulua për pozicion të parregullt.

Ndërsa sfida ishte në barazim pa gola, Lucas Hernandez “theu akullin” në minutën e 60’, duke gjetur golin dhe duke i dhënë avantazhin ekipit të PSG-së.

Vlen të theksohet se sulmuesi Kylian Mbappe e nisi këtë ndeshje nga stoli, duke u aktivizuar në minutën e 62’ në vend të Asensio-s.

Francezi ia doli që të ishte protagonist duke fituar penallti dhe e ekzekutoi më së miri në minutën e 78’, duke dyfishuar avantazhin e skuadrës së tij dhe njëkohësisht duke vulosur këtë takim.

Pas javës së 22-të, Nantes renditet në vend të 13-të me 22 pikë, teksa PSG kryeson me 53 pikë plot 14 pikë më shumë se Nice e vendit të dytë.