Sporti

Leverkusen vazhdon drejt titullit, kalon me sukses edhe Heidenheimin

02/17/2024 17:34
nga:Mergim Rreci

Bayer Leverkusen vrapon drejt titullit të parë kampion në histori. “Aspirinat” regjistruan një tjetër fitore, këtë herë në transfertën ndaj Heidenheim, ku triumfuan me rezultatin 1-2 dhe shkuan përkohësisht +8 ndaj Bayernit ndjekës në renditje.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso mori avantazhin në minutat shtesë të pjesës së parë me Frimpong, ndërsa në të 81-tën ishte Adli që dyfishoi shifrat.

Në të 87-ën Pieringer shënoi për vendasit e Heidenheim, duke rihapur ndeshjen dhe bërë më interesante minutat e mbetura, megjithatë asgjë për të shënuar, pasi Leverkusen mbrojti mirë portën dhe u largua me tri pikë mjaft të vlefshme.

Një javë pas suksesit ndaj Bayernit të Mynihut, “Aspirinat” marrin kështu nëj tjetër sukses, që i ngjit përkohësisht në kuotën e 58 pikëve, i ndjekur nga Bayerni i Mynihut me 50 pikë, me bavarezët që luajnë të dielën në transfertën ndaj Bochumit.