Lajme

Deputetja e AAK-së: Vendin e ka marrë ‘teposhtëza’ prej kohës që udhëhiqet nga Albin Kurti!

02/15/2024 10:10
nga:Y I

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyqi, në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” ka deklaruar se Qeveria Kurti nuk do të mbahet mend për asgjë.

Bytyqi tha se të njëjtit do të njihen për keq në gjithë propagandën e bërë dhe mos-realizimin e premtimeve.

“Tashmë mendimin tim apo qasjen se si e kam pa këtë qeveri në gjithë rrugëtimin e tyre, e kam shprehur shpesh si përmes intervistave të mia apo edhe përmes reagimeve në rrjete sociale. Nuk do shumë mund për me thënë se ky pushtet, nuk do të njihet bash për asgjë, në aspektin e mirë të fjalës, por do të njihet shumë për të keq në gjithë propagandën e bërë dhe mosrealizimin e premtimeve.Meqenëse i kanë qejf simbolikat, ua kisha sugjeru që nesër në tre vjetorin e tyre më dal më një video, ku këta janë kampionët e paparë në dështime, meqenëse i kanë për qejfi përmbledhjet e editimet”

Ajo tha se vendi, prej kohës që udhëhiqet nga Kurti, veç ‘teposhtëza e ka marr’

“Gjendja faktike tregon se ky vend prej kur është në udhëheqje të kryeministrit Kurti veç teposhtëza e ka marr, me masa ndaj vendit, me eskalime të njëpasnjëshme, tensione, prishje raportesh me aleatët e çka jo tjetër, andaj, nëse populli vendos ta sheh realitetin siç është, nuk duhet me ia dhënë votën, nuk bën me ndëshku vetën me një kryeministër që veç ka punu për të keq” deklaroi Bytyqi në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”.

Kryeministri Kurti ka folur në mbledhjen e Qeverisë në përvjetorin e tretë të qeverisjes së tij.

Ai tha se 14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitore elektorale, por është moment i përmbysjes më të madhe politike e demokratike në Kosovën e pas luftës.

“Është revolucioni elektoral ku ngadhënjeu mirëqeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminim dhe interesi i përbashkët e publik mbi atë personal e privat” tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë raporton Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Lladrovci: Uroj që qeveria Kurti të kthehet në binarët e bashkëpunimit me Amerikën, partneriteti me SHBA-të nuk pret!