Lajme

Marrja e patent shoferit me dallavere, arrestohet pronari i një auto-shkolle

02/15/2024 08:59
nga:N K

Policia e Kosovës ka njoftuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se derisa ishte në testimin për patentë shofer tek i njëjti janë gjetur një kamerë trupi, një kufje e vendosur në vesh dhe një pajisje shtesë përmes të cilës i dyshuari ka komunikuar me pronarin e një auto-shkolle në mënyrë që ta kalonte provimin teorik për patentë shofer.

“Lidhur me rastin është arrestuar edhe pronari i auto-shkollës që është përfshirë në rast. Pas hetimeve të zhvilluara është identifikuar edhe një i dyshuar tjetër që për momentin ndodhet në arrati i cili dyshohet se në këmbim të parave i ka lëshuar të dyshuarit të parë vërtetimin për aftësim të kandidatit pa qenë prezent fare. Me vendim të prokurorit dy të arrestuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin 24 orësh të policisë.

Ndryshe, dje në Njësinë e Patentë Shoferit në Prishtinë, gjatë monitorimit të procesit te provimit, Komisioni Monitorues ka hasur në një person të dyshimtë i cili ka qenë i pajisur me kufje dhe kamerë.