Lajme

Lladrovci: Uroj që qeveria Kurti të kthehet në binarët e bashkëpunimit me Amerikën, partneriteti me SHBA-të nuk pret!

02/14/2024 20:40
nga:Y I

Sot janë bërë tri vite nga fitorja e Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Kryeministri Kurti ka folur në mbledhjen e Qeverisë në përvjetorin e tretë të qeverisjes së tij.

Ai tha se 14 shkurti nuk paraqet vetëm përvjetorin e një fitore elektorale, por është moment i përmbysjes më të madhe politike e demokratike në Kosovën e pas luftës

“Është revolucioni elektoral ku ngadhënjeu mirëqeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminim dhe interesi i përbashkët e publik mbi atë personal e privat” tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë raporton Gazeta Blic.

Në lidhje me 3-vjetorin e qeverisë Kurti ka folur për “Gazeta Blic”, kryetari i komunës së Drenasit nga radhët e PDK-së, Ramiz Lladrovci.

Lladrovci tha vlerësimi i tij për qeverisjen Kurti është i mbushur me dëshpërim për raportet e tensionuara me Amerikën.

Ai tutje potencoi se shqetësimi i tij më i madh është qëndrimi i aleatëve në OKB dhe Amerikës në veçanti.

“Vlerësimin e parë për qeverisjen Kurti e kam dhënë pas 100 ditëve të qeverisjes së tij dhe tash, pas 1.000 ditëve.Ky vlerësim imi është i mbushur me mërzi e dëshpërim për raportet e Qeverisë me Amerikën, më shumë se me çdo veprim tjetër.Nuk dua të ankohem për vonesën e realizimit të projekteve kapitale në komunën e Drenasit nga kjo Qeveri” deklaroi Lladrovci për “Gazeta Blic”.

Lladrovci përmendi edhe disa nga projektet që nuk janë realizuar në komunën e Drenasit nga niveli qëndror.

“Brenga ime është qëndrimi i aleatëve në OKB, dhe Amerikës në veçanti. Kjo është brengë dhe është më e madhe se brenga e mosrealizimi i rrugës Gllobar-Komoran, për mungesën e ujit dhe Liqenin e Vërbocit, për Stadiumin nacional, për qendrën e Biznesit Drenasi 2, për QKMF-në, çerdhet, shkollat, për rrugën e Sankocit, Berishës, Qyqavicës, Parqet dhe projektet tjera të nivelit qendror”

I pari i Drenasit në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic” tha se Kosova do të jetë gjithmonë fituese kur e ka Amerikën në krah.

Lladrovci uroi qqë brenda vitit Qeveria të kthehet në binarët e bashkëpunimit të plotë në Amerikën.

“Kosova do të jetë përherë fituese kur e kemi Amerikën krah nesh, ashtu siç e patëm kur na vizituan kongresmenë e senatorë në vitet ’90, apo kur jemi rrezikuar të zhdukemi gjatë luftës tonë çlirimtare. Çështja jonë, pa Amerikën, nuk do të zgjidhej dhe as do ta fitonim luftën e as të arrihej shpallja e Pavarësisë së Kosovës shtet i pavarur e sovran.Pra, të gjitha projektet mund të presin, por, aleanca dhe partneriteti me Amerikën, nuk pret. Uroj që brenda vitit sa ka mandat kjo Qeveri, të kthehet në binarët e bashkëpunimit e besimit të plotë në Amerikën si çelës i suksesit të të tashmes e të ardhmes tonë shtetërore e kombëtare” deklaroi Lladrovci në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic”

/Gazeta Blic/

Kurti: Më 14 shkurt 2021, ndodhi përmbysja më e madhe politike e demokratike në Kosovë