Lajme

Rama në Bruksel një ditë para vizitës së Blinken, takon Michel dhe Von der Leyen

02/14/2024 12:43
nga:G B

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka udhëtuar këtë të mërkurë drejt Brukselit ku do të takohet me presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel në orën 14.00.

Më pas kreu i qeverisë shqiptare do zhvillojë një takim me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Takimet vijnë dy javë përpara se në Tiranë të mbahet samiti për Ukrainën dhe takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor nga Komisioni Europian.

Departamenti Amerikan i Shtetit zhvilloi një ditë më parë një bashkëbisedim me gazetarë shqiptarë dhe gjermanë në lidhje me vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken fillimisht në Shqipëri dhe më pas me prezencën e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Ish-ambasadorja Kim tha se vizita e sekretarit Blinken në Shqipëri do të zgjasë rreth 8 orë dhe në fokus do të jetë e ardhmja e Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor, njofton EuroNews.