Ish-shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara (OKB) në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, ka folur për procesin e dialogut me Serbinë dhe themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Jessen-Petersen, i cili mbikëqyri periudhën fillestare të përgatitjeve për statusin e Kosovës, nënvizoi angazhimin e BE-së për të arritur një marrëveshje në dialog.
“Dialogu është e vetmja rrugë përpara”, tha ai, duke i bërë thirrje BE-së të përdorë “integrimin në familjen evropiane si karotë ashtu edhe si shkop”.
Jessen-Petersen po ashtu theksoi mbështetjen e palëkundur të SHBA-së si një faktor kyç në procesin e dialogut.
Në lidhje me Asociacionin, Jessen-Petersen shprehu shqetësim për ndasitë e thelluara etnike, të cilat shton ai se mund të përforcohen nga kundërshtimet e opozitës dhe politikat e Beogradit.
Ai përkujtoi se Asociacioni ishte pjesë e marrëveshjes së Ahtisaarit.
“Kosova duhet të bëjë më shumë për të integruar serbët e shumtë me qëllime të mira në një ndjenjë përkatësie në Kosovë”, shprehet ai.
Ish-diplomati gjithashtu sinjalizoi “lëvizjet e vazhdueshme destabilizuese nga Beogradi”, si një shqetësim të vazhdueshëm për integritetin e vendit.
Pyetur në lidhje me pritshmëritë për arritjen e një marrëveshjeje eventuale mes Kosovës dhe Serbisë në kuadër të këtij viti, Jessen-Petersen u shpreh skeptik, duke e lidhur këtë hedhje në dyshim me “lidershipin aktual politik në Serbi”./Telegrafi/