Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për deklaratat e kryeministrit Kurti për Asociacionin.
Ky i fundit tha në një intervistë për mediumin amerikan Bloomberg se është vështirë të procedojë me Asociacionin, për shkak të Serbisë, e cila refuzon nënshkrimin e marrëveshjes.
Lidhur me këtë, Dugolli thotë se Serbia nuk do që ta nënshkruajë marrëveshjen dhe është absurde që të kërkohet nga Kosova që të zbatojë një pikë të vetme, atë për Asociacionin.
“Çështja e sigurisë së shtetit është primare, duhet të zë vendin kryesor dhe një gjë që e siguron sigurinë e shtetit, mos ndërhyrjen e Serbisë në shtetin e Kosovës është marrëveshja kornizë, e cila është dakorduar por nuk është nënshkruar, pra Marrëveshja e Brukselit, për të cilën tash edhe zyrtarisht kryeministrja Bërnabiq u dërgoi letër BE-së që tërhiqet dhe nuk do ta zbatojë këtë marrëveshje. Pra, tani është absurde që të kërkohet diçka sa i përket asaj marrëveshje, sa i takon Kosovës, pra zbatimin e njëanshëm të një pike, që është krejt në fund, pra themelimin e Asociacionit. Jemi shumë të sigurt se nuk do të ketë zbatim të njëanshëm të asaj marrëveshje. Ose do të zbatohet në tërësi ose nuk do të ketë ecje përpara të zbatimit të asaj marrëveshje”, thotë ai për Gazeta Blic.
Kurse, lidhur me presionin ndërkombëtar për këtë çështje, deputeti i VV-së thotë se është absurde që të kërkohet zbatim i njëanshëm, derisa Serbia nuk e zbaton pikën e njohjës de facto.
“Nga prizmi ynë është kjo që thashë, s’mund të ecet përpara njëanshëm e të zbatohet diçka që i konvenon Serbisë e të mos ecet në tërësi me zbatimin e saj, që do të siguronte njohjen de facto të Republikës së Kosovës. Kjo është pra siguresa kryesore e cila do të hapte rrugë për ecjen përpara për normalizim të raporteve derisa Serbia nuk është e gatshme që të zbatojë këtë pikë, të gjitha të tjerat janë të pazbatueshme, të paarritshme, nuk mund të ketë asnjëherë më ecje të njëanshme, pra plotësim apo zbatim vetëm nga pala e Kosovës sepse kemi parë që deri tani nuk ka prodhuar rezultate të kënaqshme për normalizim të raporteve mes dy shteteve”, deklaron deputeti Enver Dugolli./Gazeta Blic/


