Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin amerikan Bloomberg, ka thënë se e ka të vështirë të procedojë me Asociacionin, pasi Serbia nuk është e gatshme të nënshkruajë marrëveshjen dhe se ajo nuk po i respekton ato.
Lidhur me këtë, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova është shtet sovran dhe ka detyrim ligjor respektimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Ne jemi shtet sovran dhe e kemi detyrim ligjor ndërkombëtar t’i respektojmë marrëveshjet ndërkombëtare”, thotë ajo.
Deputetja shprehet se puna e nënshkrimit është lojë politike dhe se në marrëveshjen që i referohet Kurti, ka zotim nga të dyja palët.
“Puna e nënshkrimit është një lojë politike por realiteti i negocimit na tregon që marrëveshjet janë ligjërisht të obligueshme si dhe kur ka vetëm zotim. Në marrëveshjen që z.Kurti po referohet ka zotim nga të dyja palët, ashtu siç kanë konfirmuar ndërmjetësit nga radhët e BE-së”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi./Gazeta Blic/