Reshat Qalaj, deputet i PDK-së, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, për raportimet lidhur me përgatitjet për atentat ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Shkup, ka thënë se Maqedonia e Veriut nuk ka pasur informacione për atentat ndaj kryeministrit Kurti.
“Maqedonia nuk pati informata për atentat ndaj Kurtit”, ka thënë deputeti i PDK-së.
Afrim Veseli, ish-kolonel i FSK-së, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit që të dalë me një sqarim dhe të tregojë nëse ka pasur apo jo atentat ndaj kryeministrit të vendit, Albin Kurti.
Ai e konsideron shqetësuese kërcënimin i cili pretendohet t’i jetë bërë kreut të ekzekutivit, Albin Kurtit.
Ndryshe, Kurti ka thënë se pa shumë forca policore gjatë vizitës në Shkup, ndërsa televizioni publik në Kosovë raportoi paraprakisht se masat e rrepta të sigurisë u ndërmorën, pas informacioneve se po planifikohej një atentat ndaj tij.
Kurti nuk e mohoi se ka pasur përpjekje për atentat, teksa tha se ka vazhdimisht kërcënime nga Beogradi, por theksoi se nuk ndihet i rrezikuar.
“Kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilat i kanë rrënjët e tyre në Beogradin zyrtar. Sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndier i rrezikuar, por kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesën për këtë mbledhje që e mbajtëm, e ku mysafiri special ishte përfaqësuesi i SPD-së gjermane, Lars Klingbeil”, ka thënë kryeministri Kurti.