Lajme

Murati me Rashiqin e Hetemin: Qeveria do të mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore

02/12/2024 18:20
nga:G B

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se qeveria do të mbështesë dy mijë vende pune në katër komunat veriore.

Murati kështu ka thënë pas takimit që ka zhvilluar sot me ministrin për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq dhe kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.

“Arsye për vizitën ishte lansimi i masës për mbështetjen e punësimit të 2,000 punëkërkuesve që jetojnë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e Veriut”, ka shkruar Murati në Facebook.

“Të gjitha bizneset ekzistuese, por edhe ato të reja që nisin aktivitetin e tyre në njërën nga katër komunat në veri të vendit, do të mund të përfitojnë nga masa e subvencionimit deri në 70% të pagës bruto për 6 muaj, për secilin punëtor të ri që e punësojnë sipas kritereve të përcaktuara me vendim”.

Ai theksoi se në anën tjetër, të gjithë qytetarët që jetojnë në këto komuna e që janë të papunë, mund të shkojnë të regjistrohen në Zyrën e Punësimit si punëkërkues dhe në rastin e parë të krijuar, do t’u ofrohet një ofertë pune në njërin nga bizneset e interesuara.